Lajmet e fundit
Fillon tërheqja e Isa Mustafës, i kërkon dialog opozitës

Fillon tërheqja e Isa Mustafës, i kërkon dialog opozitës

Kryeministri Isa Mustafa në konferencën për media, pas kthimit nga New York’u, i ka kërkuar opozitës që ta zhbllokojë Parlamentin duke i kërkuar dialog opozitës.
Mustafa u ka bërë thirrje partive opozitare që të tërhiqen nga qëndrimet e deri tashme, duke i bërë thirrje për debat.

“Unë nuk mendoj se jemi në krizë institucionale, ashtu siç pretendon opozita. Duhet të ndalet bllokimi i Kuvendit, Opozita duhet të tërhiqet nga këto qëndrime dhe t’i lë hapësirë debatit të përbashkët”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka vlerësuar se ai, me nënshkrimin e marrëveshjeve të fundit me Serbinë, gjatë muajit gusht në Bruksel, vetëm e ka vazhduar procesin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve të arritur në prill të vitit 2013.

Duke e komentuar kërkesën e partive opozitare për ta tërhequr nënshkrimin nga këto marrëveshje, pjesë e së cilave është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Mustafa e ka quajtur këtë të jashtëligjshme.

“Unë do të veprojë vetëm në bazë të ligjit dhe askush nuk ka të drejtë të kërkojë që të veproj në kundërshtim me ligjin”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.