Juristi Fisnik Korenica, e sheh si hap të duhur nga ana e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga paralajmërimin e saj për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe atij serb, Aleksandër Vucic për Asociacionin e Komunave Serbe.
Korenica në një bisedë për Gazetën Blic konsideron se ky hap i të parës së vendit, mund ta zgjidh konfliktin politik në vend, megjithatë shton ai, varet shumë edhe nga mënyra se si Gjyjata Kushtetuese do ta trajtoj këtë lëndë.
“Referimi i disa çështjeve që lidhen me parimet e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Presidentes së Republikës, përben një nga zgjidhjet e mundshme të konfliktit politik. Kjo megjithatë e kushtëzuar me një guxim bazik që Gjykata Kushtetuese duhet te dëshmoj për të kontrolluar në esencë kushtetutshmërinë e parimeve të Asociacionit”, thekson udhëheqësi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica për Gazetën Blic.
Sipas tij, ky guxim lidhet thjeshtë dhe vetëm me ushtrimin serioz të funksionit të saj nga ana e Gjykatës, që duhet të jetë një parametër bazik i garantimit të demokracisë kushtetuese në një vend sikur Kosova.
Në këtë perspektivë, shton Korenica, “referimi i çështjeve sikur që janë Parimet e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese përbëjnë ‘materie kushtetuese’, të cilat hyjnë në rrethin e çështjeve për të cilat nga Gjykata gëzon juridiksion për t’i gjykuar, dhe për të cilën Gjykata – marrë parasysh faktin që Parimet e tilla nuk përbëjnë marrëveshje ndërkombëtare sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve – duhet të ketë guximin t’i vlerësoj në substancë”.
Ai megjithatë thekson se duhet të presim që të shohim se si do t’i drejtohet Jahjaga Gjykatës Kushtetuese.
“Sidoqoftë, pritet të shihet se çfarë natyre kane ‘çështjet e ngritura’ nga Presidentja, dhe a adresojnë ato rreziqet më esenciale që Asociacioni i sjell rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo e fundit përbën një standard të rëndësishëm në vetvete”, vlerëson ai për Gazetën Blic.
Se a do e zgjat apo jo zgjidhjen e problemit politik shfrytëzimi i gjykatës, Korenica thekson se kjo varet krejtësisht nga rrjedhja e ngjarjes tash e tutje dhe nga disponimi i Gjykatës që çështjet e referuara t’i shpall të pranueshme në kuptimin procedural.
Juristi Korenica ndër të tjera thekson se pavarësisht që kjo çështje dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
“Në ndërkohë, shfrytëzimi i mekanizmave të konsensusit politik në Kuvend për të gjetur një zgjidhje, janë një parakusht pavarësisht pyetjeve të dërguara në Gjykatë, dhe me këtë mendoj që të dyja palët në Kuvend, duhet të fillojnë një dialog politik, ku ekziston mirëkuptimi i dyanshëm së paku për t’i shtruar në tryezë çështjet e nxehta”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Jahjaga ka theksuar se ajo shumë shpejt do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e kësaj marrëveshjeje.
Ndërkohë, Gazeta Blic gjatë ditës së djeshme ka raportuar se synimi i dërgimit të kësaj marrëveshjeje në Gjykatën Kushtetuese ka synim qetësimin e gjendjes politike në vend dhe uljen e tensioneve të ngritura në Kuvend ndërmjet pozitës e opozitës.
Burime ndërkombëtare i kanë thënë Gazetës Blic se përmes këtij veprimi, Jahjaga ka si synim edhe blerjen e kohës dhe tejkalimin momental të gjendjes politike në vend.
Partitë opozitare tash e sa javë e kanë bllokuar Kuvendin, duke mos lejuar zhvillimin e seancave pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.
Mirëpo, sot në një konferencë për medie shefi i ekzekutivit, Isa Mustafa ka theksuar se është Gjykata Kushtetuese ajo që përfundimisht do të vendos nëse është kushtetuese ajo jo marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe.