Fitore Geci, e bija e Sabit Gecit, në emisionin “Ora e fundit” të Klan Kosovës, ka shpjeguar storjen e ndodhur me vëllezërit e saj, Kushtrim e Alban Geci, në incidentin me aktivistët e Vetëvendosjes, pranë selisë së këtij subjekti politik. Ajo thotë se vëllezërit e saj janë të pafajshëm dhe se padrejtësisht po etiketohen si familje kriminale dhe se janë pjesë e ndonjë partie politike. .
Ajo thotë se vëllezërit e saj me asgjë nuk i kanë provokuar aktivistët e Vetëvendosjes, por thotë se ata janë sulmuar nga rreth 20 aktivistë të kësaj partie.
“Kushtrimi është i aksidentuar që 7 vite dhe kjo ka qenë arsyeja që ai e ka parkuar veturën në një vend ku nuk lejohet”, tha ajo.
Fitorja thotë, se sipas avokatit, policia e ka filmimin e ngjarjes që është bërë nga kamerat e objektit të Postës, në të cilat mund të shihet se vëllezërit e saj janë sulmuar dhe janë të lënduar nga aktivistët e VV-së.
“Albani dhe Kushtrimi kanë lëndime nga sulmi që u është bërë, për këtë e kam edhe raportin e mjekut”, tha ajo, transmeton Telegrafi.
Fitorja mohon se familja e saj, baba dhe vëllezërit e saj të jenë pjesë e ndonjë partie politike, pra as të PDK-së, por thotë se kanë simpati për partitë e dala nga lufta.
Ajo tha se vëllau i saj Kushtrimi simpatizon Ramush Haradinajn, dhe se si familje i simpatizojnë vetëm njerëzit që kanë ardhur nga lufta në politikë duke përmendur edhe Rexhep Selimin nga Vetëvendosja.
Fitorja gjithashtu mohon që familjarët e saj, baba dhe vëllezërit, të jenë të përfshirë në vepra kriminale.
Thotë se baba i saj është shqetësuar kur ka kuptuar se djemve të tij u është shqiptuar masa e paraburgimit.
“Gjendja shëndetësore e babait është shumë e rëndë. Ai ka nevojë për shërim jashtë vendit, por dikush nga Ministria e Shëndetësisë po ia mohon këtë”, tha Fitorja, duke potencuar se i ati është i shtrirë në Klinikën e kardiologjisë në QKUK.
Ajo edhe njëherë ka kërkuar që të dëshmohet pafajësia e vëllezërve të saj.
Vëllezërve Alban e Kushtrim Geci, të dyshuar se në bashkëkryerje shkaktuan lëndim të rëndë të trupor dhe kanosje, ju është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ata ishin të përfshirë në një përleshje me thika para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje të hënën, ku mbetën të plagosur dy aktivistë të VV-së.