Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thotë se e kishte të pamundur të mos e ftonte sigurimin në një situatë kur po rrezikohej jeta e deputetëve.
Në një intervistë për RTK’në, ai ka thënë se në seancën e fundit, më nuk ishte në pyetje funksionaliteti i Kuvendit si institucion, por ishte në pyetje jeta e deputetëve.
“Asnjëherë në jetën time nuk do ta kisha besuar se mund të vimë në situatë të tillë, por vërtetë nuk ishte më çështje e funksionalitetit të Kuvendit si institucion por ishte çështje e drejtpërdrejt e cënimit dhe rrezikimit të jetës së kuvendarëve aty”, ka thënë Veseli në intervistë për RTK’në.
Ai ka thënë se imazhi i Kosovës po rrezikohet seriozisht nga veprimet e opozitës. Thotë se çdo vendi demokratik i duhet opozita e fuqishme, por jo fuqinë ta shprehë me shishe e gaz lotësjellës.
“Më lejoni të theksoj se zakonisht kur mbahen ose dështojnë seancat thuhet humbësi, fituesi. Të qenit shtet juridik dhe funksionimi i shtetit ligjor nuk ka fitues e humbës. Është në pyetje a funksionin ai shtet apo jo. Këtu ne duhet të fokusohemi, këtu duhet të tregojmë. Në këtë situatë duhet të tregojmë se funksionaliteti institucional e ligjor i Ksovës, është i merituar, funksional dhe do të funksionojë bashkërisht pozitë-opozitë. Tjetër rrugë nuk kemi. Nuk ka demokraci të konsoliduar pa opozitë të fuqishme por jo me shishe e gaz lotsjellëse se na sakatuan për besë. Jo ne si individë por edhe imazhin e vendit”, ka thënë Veseli.