FSK ka hetuar rastin e keqpërdorimit të uniformës solemne të saj në një ceremoni private. Një pjesëtar i FSK-së është suspenduar ndërsa ndaj një personi tjetër është ngritur procedurë penalale.
Në takimin e sotëm të ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, ku ishin të pranishëm ministri i FSK-së Haki Demolli, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, gjeneral dhe drejtorë të lartë të MFSK-së, u trajtua edhe rasti i keqpërdorimit të uniformës solemne të FSK-së në një ceremoni private, në dasmën e një qytetari.
“Me këtë rast ia bëjmë me dije opinionit të gjerë dhe analistëve të ndryshëm që kanë bërë pyetje publike, se për këtë ngjarje si Ministri nuk kemi dashur të reagojmë, në shkrimet e pa verifikuara të mediave të publikuara gjatë vikendit, pa mbledhur informacionin e duhur për ngjarjen konkrete. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se:
-Asnjë oficer ose zyrtarë i lartë i FSK-së nuk ka dhënë urdhër, që ndonjë pjesëtar i Njësisë Ceremoniale të marrë pjesë në ndonjë ceremoni private me uniformë solemne.
-Asnjë oficer ose zyrtarë i lartë i FSK-së nuk dhënë urdhër që ndonjë pjesëtar i Njësisë Ceremoniale ti huazojë ndonjë qytetari uniformën e FSK-së.
-Në takim është konstatuar se në rastin konkret, personi i shfaqur në fotografin që kanë publikuar mediat, e që është në rolin e shoferit në dasmën e përmendur, nuk është pjesëtar i FSK-së.
-Është vërtetuar se një pjesëtar Trupës Frymore të FSK-së (Emri i njohur për MFSK-në) i ka huazuar uniformën solemne kryefamiljarit të dasmës, pa dijen dhe pa lejen e eprorëve të FSK-së.
-Me këtë rast MFSK vlerëson se pjesëtari i FSK-së, që në këtë rast është pjesëtar i komponentës rezervë, konkretisht i trupës muzikore dhe me profesion muzikant instrumentist, dhe që nuk është ushtarë profesionist, ka shkelur rregulloret dhe ligjet e FSK-së si dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e FSK-së para qytetarëve të vendit dhe opinionit publik.
-Me vendim të ministrit të FSK-së Haki Demolli dhe urdhër të Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Ramës, për këtë shkelje, pjesëtari i FSK-së sot suspendohet nga FSK. Për më tej, çështja dërgohet në Komisionin Disiplinor të FSK-së.
-Po ashtu MFSK për këtë çështje, do të inicioj procedurë penale, ndaj personit që ka veshur uniformën e FSK-së në mënyrë të pa autorizuar, veprim ky që sipas Kodit Penal të Kosovës, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet, ndër të tjera edhe dënimi me burg deri në një vjet.
Në fund po e ritheksojmë se, Njësinë Ceremoniale të FSK-së nuk e përbën një uniformë e vetme e as një person i vetëm. Se MFSK, ndaj çdo pjesëtari që vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore të FSK-së, do të ndërmarrë veprime adekuate ligjore dhe do të shqiptojë masat konkrete të parapara me ligj”., thuhet ne njoftim.