E themeluar në vitin 2007 nga të pakënaqurit e atëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia e Nexhat Dacit, Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) është çregjistruar nga KQZ.
Ndarja e LDK-së në dysh i kushtoi asaj me kalimin në opozitë në zgjedhjet e vitit 2007 ndërsa vendimi i KQZ-së për çregjistrimin e LDD-së është marrë dy ditë para se LDK ta festojë 26 vjetorin e themelimit.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e KQZ-së të nënshkruar dje, në të cilin thuhet se kjo parti është çregjistruar për shkak se nuk ka përmbushur obligimet që dalin nga Ligji për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike për mbajtjen e kuvendit zgjedhor të partisë brenda kohës së parashikuar.
Gjithashtu KQZ në vendim thotë se ka gjetur që LDD nuk e ka respektuar vendimin e këtij institucioni të marrë në tetor të këtij viti për pezullim në mënyrë që kuvendi të mbahet brenda 45 ditëve.
“Kryetari dhe organet drejtuese të partisë LDD edhe pas marrjes së vendimit për çregjistrim nga ana e KQZ-së vazhdojnë të jenë përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe obligimet e krijuara gjtë periudhës së të qenit aktivë”, thuhet në vendim.
LDD u krijua në fillim të vitit 2007 pas çarjes së madhe të LDK-së në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur në fund të vitit 2006 të njohur si “Kuvendi i karrigeve” për shkak të përleshjeve gjatë punimeve të tij.
Atëbotë, Nexhat Daci u largua nga LDK pas zgjedhjes së Fatmir Sejdiut në krye të partisë dhe shkarkimit të tij nga pozita e kryetarit të Kuvendit, pak javë pas vdekjes së Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.