Një aksident komunikacioni ka ndodhur afër shkollës së fshatit Tërstenë të Mitrovicës, ku për pasojë janë lënduar 17 persona, raporton Veriu.info.
Aksidenti ka ndodhur në mes të furgonit, i cili i transportonte nxënësit për në shkollën e Rashanit dhe një traktori.
Drejtori i Shkollës së Rashanit, Rrahman Sefedini, në një prononcim për Veriu.info e ka konfirmuar rastin, duke treguar se 12 nxënës dhe dy mësimdhënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e aksidentit.
“Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e rrugës në mes fshatrave Tërstenë dhe Rashan, ku si pasojë e tij ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës kanë kërkuar dy mësimdhënës, një nxënës dhe traktoristi. Nxënësit kanë qenë duke udhëtuar me furgonin e kompanisë e cila është e kontraktuar nga komuna për transportimin e nxënësve, ku në momentin e aksidentit në furgon kanë qenë 12 nxënës dhe 10 mësimdhënës, ndërsa 11 nxënës dhe 2 mësimdhënës kanë kërkuar trajtim mjekësor në ambulanten e fshatit”, ka treguar drejtori Sefedini.
Edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar aksidentin, duke thënë se policia ka evidentuar katër persona me lëndime të lehta, të cilët janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës, ku tre janë të moshës madhe dhe një vajzë e re.
“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:30, ndërsa dyshohet se fajtor për aksidentin ka qenë furgoni”, ka thënë Zahiti për Veriu.info.
Veriu.info mëson se komuna ka kontraktuar kompaninë “Unioni”, për t’i transportuar nxënësit për në shkollën e Rashanit. Mirëpo, duket se këtu ka një anomali, pasi që është e ndaluar që nxënësit të transportohen me furgon, sepse ata sipas kontratës dhe legjislacionit në fuqi duhet të transportohen me autobus. /indeksonline/