Lajmet e fundit

Fushata për diçka në Kosovë ka filluar!

Nga Beqë Cufaj

Si PDK ashtu edhe LDK i gënjyen anëtarësinë dhe votuesit e tyre gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të Qershorit të vitit 2014. Hashimi me Misionin e Ri u pat premtuar vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik. Isa po vende pune dhe në asnjë mënyrë Qeverisje me SHIK-un dhe strukturat e tij. Kosova qe bllokuar për më shumë se gjashtë muaj dhe brenda një mbrëmjeje me dhe në terrin të cilit mund t’i thuhet edhe tmerr jomoral- Isa u fut në dhomë tek Atifetja, doli para kamerave me Hashimin dhe thanë që kanë nënshkruar marrëveshje politike. LDK humbte virgjinitetin politik duke marrë postin e shefit të ekzekutivit për herë të parë në Kosovën e pasluftës. PDK dorëzonte karrigën e Hashimit në mënyrë që për këtë të fundit ta ruajë kartën që ta ulë në tronin e të parit të shtetit. Pas një viti e gjysmë.

Ky vit e gjysmë tashmë ka kaluar. Në ndërkohë, Isa e Hashimi kishin llogaritur me shumëçka por jo me dy prita krejt të papritura për ta. Së pari kishin valën e madhe të shpërnguljes së shqiptarëve në dimrin e vitit të kaluar- më shumë se 50.000- prej tyre shumica absolute votues besnikë të të dy partive popullore, që ia mësyen Gjermanisë. Pokështu: shumica absolute e tyre janë ende jashtë e edhe ata që janë kthyer zor që do të dalin të votojnë për njërën apo tjetrën parti. Prita e dytë që Isës e Hashimit u doli përballë është besatimi i asaj që mbeti pas tradhtisë së Isës: Albini, Ramushi e Fatmiri duke e parë që brenda Kuvendit nuk kanë as edhe një gjasë të ndalin diçka me numra- njëherë nxorën nga xhepat gazin dhe vezët e mëpas edhe popullin në rrugë. Dhe i hynë një avanture e cila në fillim jo prej pak vëzhguesve e vdektarëve të zakonshëm qe parë si një hap drejt humnerës. Por me kalimin e ditëve, javëve dhe muajve doli që strategjia e tyre gjeti miratim në popull dhe fakti që protesta e 9 Janarit tronditi deri në themel si PDK-në ashtu edhe LDK-në, i ka bërë të dyja këto parti dhe sidomos Isën e Hashimin të ndalen mirë e mirë dhe analizojnë se ku janë dhe si do të dalin nga katrahura e Kosovës.

Tre netët e gjata me mbledhitë e parisë së PDK-së në njërën anë dhe zbritja në terren e Isës për takime me strukturat e LDK-së në anën tjetër janë tregues që si njëri ashtu edhe tjetri lider e dijnë që bashkë me borën e madhe priten edhe rrëshqitjet e mëdha politike. Tipike për ta: s’flasin pse po mbledhen me anëtarësinë. Kanë sekrete- që s’janë sekrete. Shumë më tepër ato janë reflektim i ankthit nëpër të cilin po kalojnë.

Shumë shtigje nuk kanë. Për të qenë edhe më të saktë si Hashimi ashtu edhe Isa kanë vetëm tre mundësi për të dalë nga kjo krizë në të cilën vet e kanë katandisur vendin. Them vet e kanë katandisur sepse me keq-qeverisjen që kanë ushtruar- Hashimi dy herë si Kryeministër e Isa dy herë si Kryetar Prishtine dhe tash i Qeverisë- kanë bashkuar të keqen me të keqen. Korporata PDK-LDK s’është gjë tjetër veçse një mekanizëm për punësim anëtarësie duke i dhënë Kosovës një imazh të shëmtuar i cili gjithandej në kancelari të shteteve perëndimore e opinione globale shihet si një vrimë e madhe korrupsioni e krimi të organizuar.

Prandaj Isa dhe Hashimi kanë vetëm këto tre rrugë:

1. Ta ftojnë opozitën dhe të caktojnë datën për zgjedhjet e reja. Dalja në votime e qytetarëve të vendit do të ishte edhe një korrigjim ndaj mashtrimit të madh që iu bë votuesit dhe opinionit me koalicionin e tradhtisë (së Isës). Do të ishte absolutisht e parëndësishme nëse PDK e LDK do ta bënin një listë apo dy. Ta masin veten në peshoren e popullit. Ndaras apo së bashku.
2. Isa ta bëjë atë që dikush ende e pret: sikurse ia bëri Sejdiut në njërën anë dhe Albinit, Ramushit e Fatmirit në anën tjetër, papritmas ta prish marrëveshjen me Hashimin dhe të futet edhe njëherë në zgjedhje.
3. Që Hashimi me Kadri Veselin të provojnë ta mbajnë Isën të mbërthyer për atë nënshkrim të asaj letre tek Atifetja dhe posa të zgjedhet Hashimi President, ky i fundit t’ia jap LDK-së goditjen përfundimtare dhe shkatërruese- atë të shpalljes së zgjedhjeve në verën a vjeshtën e këtij viti.

Këto tre pika lidhen me po tre imazhe që këtë të shtunë dimri Kosova i pau:

1.Isën e përhumbur në degën e Pejës.
2. Kadri Veselin e ulur me Rininë e Gratë e PDK-së. Që për të folur me Robert Musil-in, të gjithë nga ajo sallë partie kishin pamjen e ca perëndimorëve por që në esencë s’janë gjë tjetër veçse thelbi i asaj që është aq rrënjosur në doket e moçme…
3. Opozitën e cila nga Salla e Kuqe ishte jo vetëm e kuqe por edhe e vendosur dhe trimëruar si asnjëherë më parë…
Tre teori konspiracioni përballë tre pamjeve të prekshme. Fushata për diçka në Kosovën e mesit të Janarit të vitit 2016. Mirë do të ishte të na tregojnë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.