Posterët kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit kryesisht kanë dy personazhe në to, Thaçi e Daçiq, ku duken si një çift të dashuruarish. Mirëpo, mesazhet e shkruara kryesisht me shkronja cirilike nuk shprehin kurrfarë dashurie për çiftin në fjalë. “Unë nuk do t’i bëja duart pis, BOJKOT”, shkruan në njërin nga këta posterë, raporton Zëri.
Para se të “shijosh” këta posterë, ekziston një procedurë që si gazetar shqiptar duhet ta bësh. Heqja e tabelave kosovare të veturës me të cilin del në anën e qytetit ku nuk sundon ligji kosovar është vetëm fillimi. Me vete duhet të kesh së paku një person i cili flet mirë serbisht, pa aksent, ndryshe është e paimagjinueshme se çfarë mund të të ndodhë.
“Formula” më e sigurt është ajo që të gjesh një qytetar serb që jeton në atë anë për të të shoqëruar. Posa të fusësh këmbën, çdo gjë të lë të kuptosh se në këtë pjesë të Kosovës është duke udhëhequr një shtet tjetër- ai serb.Derisa ecën rrugëve të saj shihet paradoksi, ku më shumë bëhet antifushatë për zgjedhje lokale të 3 nëntorit se sa përpjekje për të bindur njerëzit që të marrin pjesë në to. “Dalja në zgjedhje separatiste është shkelje e rendit kushtetues të Serbisë. Për këtë thuani JO zgjedhjeve separatiste”, shkruan në një tabelë gjigante në qendër të veriut të Mitrovicës. Bojkot zgjedhjeve shqiptare’, është tabela tjetër.