Lajmet e fundit

Futboll, politikë dhe gaz lotsjellës!

Nga Ilva Tare

Të të bëjnë gol serbët nuk është një ngjarje e rrallë dhe as e paparashikueshme për ata që e njohin futbollin dhe kombëtaret e dy vendeve tona. Ta humbasësh ndeshjen është gjithashtu normale dhe duhet të ishte e pritshme, si një ndër opsionet e mundshme. Të pandehësh që të fitosh me Serbinë sikur të jesh duke luajtur me ekipin e Tërbunit, është naivitet dhe mungesë e thellë serioziteti. Dhe ta rrisësh pritshmërinë në kufijtë e paimagjinueshëm të një fitoreje jo vetëm futbollistike, por si një përplasje historike kombesh, është mungesë respekti për veten dhe tregues i lehtësisë me të cilën gjykon.

Të festosh përpara se të fillojë ndeshja, sikur je fitues i përballjes, është edhe më e çuditshme, po aq sa të pajustifikuara janë notat e dëshpërimit në përfundim të lojes. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë fitore me Serbinë, por jo të mendojnë se janë më europianë se serbët me çdo kusht. Ngjarjet e turpshme për Serbinë në tetorin e kaluar, janë një tregues i diskriminimit dhe urrejtjes që kanë kultivuar një pjesë e popullsisë ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të Kosovës. Kori i thirrjeve raciste kundër djemve të kombëtares dhe shqiptarëve, në veçanti në stadiumin Partizani, ishte dëshmi e fantazmave të së shkuarës që po deformojnë të ardhmen europiane të bashkëjetuesve të të njëjtit rajon.

Në kontrast të admirueshëm me sjelljen kriminale të tifozëve serbë në Beograd, shqiptarët i pritën me qytetari dhe maturi europiane dhe i lejuan të shijonin dhe fitoren e minutave shtesë, pavarësisht shijes së hidhur të humbjes. Tifozët janë të pakontrollueshëm edhe në vende që nuk ndajnë të kaluarën e serbëve me shqiptarët, por në Tiranë dhe Elbasan u treguan vlera të një qytetërimi të munguar ne Serbi. Humbja dhe fitorja e Shqipërisë u realizua brenda një loje futbolli dhe bashkë me të u demonstrua superioriteti i një populli që nuk e pret në besë mikun.

Porse, t’i konsiderosh serbët e sotëm si qytetarë të padenjë për Europën, është një gjykim që mund të ushqehet nga e shkuara e hidhur dhe masakrat që kanë bërë në Kosovë.  Nëse krahasimi bëhët me thjeshtësinë e krahasimit me Serbinë e sotme, atë të pas Titos dhe Milloshevicit, duhet të merret në konsideratë aftësia për të ndërtuar shtet, me pasuesit dhe ish zëdhënësit e diktatorëve. Duhet njohur mjeshtëria e serbëve për të lobuar në emër të interesave vetjake, madje edhe të paranojave dhe skeleteve me të vrarë e të zhdukur, pasoja të mendjeve të c’ekuilibruara që kanë shkaktuar luftëra në Ballkan.

Megjithë bagazhet e mbushura me gabime dhe gjurmët e masakrave të tyre, serbët ja kanë dalë të jenë hapa përpara shqiptarëve në integrimin europian. Ata kanë nisur negociatat për të cilat ne do të duhet të presim me shume gjasa të kalojmë dhe zgjedhjet e 2017-tës nëse nuk shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ata kanë ditur dhe kanë gjetur mënyrat për ta bërë vendin tërheqës për investitorët e rëndësishëm duke siguruar rregulla loje dhe shtet të së drejtës. Ata kanë shume aryse të mos bashkëpunojnë dhe janë të prekur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Por ata nuk kanë skenat tona të së enjtes, nuk e kanë pandeshkueshmërinë e politikanëve të lartë ligj të pashkruar. Ata dinë të jenë faktorë në rajon duke luajtur me miqësinë e rusëve dhe dorështrirjen ndaj perëndimit. Ata presin Putin dhe vizitojnë Brukselin dhe Washingtonin. Ata konsiderohen partnerë të besueshëm nga ata që ne i quajmë partnerë strategjikë në fjalime e tavolina.

Mjaftojnë pak shembuj për ta bërë dallimin dhe për të kuptuar rrugëtimet me kohë të ndryshme drejt Bashkimit Europian. Në ditën kur media ndërkombëtare fokusohet në Tiranë për ndeshjen me Serbinë, në parlamentin shqiptar politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje disa milionë euroshe, ndërsa në kuvendin e Prishtinës hidhen lëndë tymuese. Në renditjen e azilkërkuesve në Gjermani, vendin e dytë e zënë shqiptarët, pas sirianëve dhe jo serbët. Në raportet ku flitet për shtet ligjor dhe korrupsion galopant shqiptarët janë sërish më lart të renditur.

Në kushtet kur në Shqipëri mungojnë investime serioze të huaja dhe kemi një histori të pasur me privatizime të dështuara, serbët ishin partnerë të besueshëm në 2008 për kompaninë prestigjoze të automobilave Fiat që investuan 700 milionë euro në një investim të përbashkët me qeverinë e Beogradit dhe siguruan rreth katër mijë vende pune falë klimës së besueshme dhe mjedisit konkurrues të krijuar nga autoritetet. Mjafton të përmendim rrëfenjën me të pathëna të CEZ dhe dorëzimin e shtetit shqiptar perballë arbitrazhit. Mund të përmenden shumë investime të tjera të munguara apo sjellje prej gjobëvënësi të administratës publike për të kuptuar se superiorët nuk jemi ne. Golat në portën e Berishës janë hicgjë po të konsiderosh golat miliona eurosh që bëhen në mungesë të shtetit ligjor dhe një klase politike të papërgjegjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.