Anëtari i KD të UP-së, Zeqir Veselaj, i cili është prodekan në Fakultetin e Edukimit të drejtuar nga Et’hem Çeku, njëri ndër më të zëshmit kundër rektorit, tha se menaxhmenti aktual e ka bllokuar universitetin.
“As në ëndrra më të këqija nuk e kam paraparë që mandatin tim si anëtar i Këshillit Drejtues ta filloj me këtë pikë kaq të rëndë për shkarkimin e rektorit”, tha në fillim Veselaj.
“Të gjithë senatorët e kanë mirëpritë e përkrahë ardhjen e tij, por fatkeqësisht pak më vonë kjo situatë filloi të degradojë. Në UP për momentin është i bllokuar Senati. Me këtë rektor nuk ka mundësi që ai senat të mblidhet më. Bllokimi i Senatit nënkupton bllokim të vendimeve me rëndësi si kalimi i kushtit për studentët”, tha Veselaj.
“Problemi i avancimeve nuk ka qenë problemi i vetëm. Ky universitet ka probleme prej ËC-ve deri te projektet ndërkombëtare. Avancimet i lanë në hije këto probleme”, tha Veselaj.
Anëtari tjetër i KD-së, Kemajl Bislimi, nuk e bëri të qartë qëndrimin e tij.
“Ne pas këryre informatave që kemi marrë do të duhet të marrim një vendim. Le të reflektojmë e ta ndihmojmë këtë proces”, tha ai.
Njëjtë e paqartë ishte edhe Alberta Troni.
“Ndihem keq që në mbledhjen e tretë kemi në rend dite një pikë si kjo”, tha ajo.
Sipas sekretarit të UP-së, votimi për shkarkimin e rektorit bëhet me votim të fshehtë. Në përbërje të komisionit janë vendosur Shefkije Islamaj, Alberta Troni e Fevzi berisha ndërsa duhet të ketë gjashtë vota për të marrë vendim. Me shkarkimin eventual të rektorit shkarkohen dhe prorektorët.