Vazhdojnë vlerësimet për Gianni De Biasi-n. Pas çmimeve të marra në Shqipëri dhe në Itali, falë suksesit historik me kualifikimin e Kombëtares në Euro 2016, tekniku kuqezi është përfshirë në garën për çmimin “Trajneri i Vitit” nga e përditshmja prestigjoze “Gazzetta Dello Sport”.
De Biasi është përfshirë mes 10 kandidatëve të Gazzetta Sports Aëards, me motivacionin pikërisht për arritjen e finaleve të evenimentit në Francë.
Gazeta më e madhe sportive në Itali theksonte se trajneri e udhëhoqi Shqipërinë në kualifikimin historik, duke e mbyllur grupin në vendin e dytë, ku regjistroi fitore me Portugalinë, por edhe një sukses luksi në miqësoren me Francën në Elbasan Arena.
Gara për Trajnerin e Vitit është mjaft e fort, pasi mes kandidatëve të tjerë janë drejtuesi i stolit të Italisë, Antonio Conte, që udhëhoqi të kaltërit drejt Euro 2016, duke u pozicionuar të parët në grup me shtatë fitore dhe tre barazime.
Një tjetër emër i madh i futbollit është Massimiliano Allegri, i cili i dha Juventusit titullin e katërt radhazi në Serinë A. Bardhezinjtë fituan Kupën, arritën në finalen e Champions League dhe e nisën sezonin e ri me suksesin në Superkupën e Italisë.
Në garë edhe Maurizio Sarri, trajneri që zbuloi Elseid Hysajn te Empoli dhe pas debutimit të shkëlqyer në Serinë A italiane, e tërhoqi mbrojtësi kuqezi te Napoli, ku vazhdojnë të jenë protagonistë.
Kandidaturat e tjera për Trajnerin më të Mirë janë nga disiplina të tjera, si volejbolli, tenisi, basketbolli apo gjimnastika dhe çiklizmi.