Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, përmes një statusi në facebook, tha se nuk mund ta mbrojnë Republikën ata të cilët nuk e njohin atë.
“Nuk mund ta mbrojnë Republikën ata të cilët (keq) përdorin Ditën e Flamurit kombëtar për të përdhos flamurin shtetëror të po asaj Republike; por e tërë kjo është një hipokrizi e anarkistëve të cilët qëllimin e vetëm dhe përfundimtar e kanë përmbysjen e jo mbrojtjen e Republikës”, ka shkruar Gecaj.
“Po shpresoj që tanimë opozita ta ketë kuptuar se nuk kanë përkrahje të gjerë popullore për kauzën dhe posaçërisht jo për metodat e tyre. Në një ditë të tillë festive, sheshi Zahir Pajaziti ka qenë gjithherë i stërmbushur nga individë të cilët festonin, ndërsa dje nuk u arrit të sigurohet pjesëmarrja e as një të pestës së votuesve të VV-së (vetëm) nga Komuna e Prishtinës, me gjithë faktin se kishin përkrahjen edhe të dy subjekteve tjera politike, dhe me pjesëmarrës të organizuar nga e tërë Kosova”, ka thënë Gecaj.
Gecaj shtoi se derisa VV ishte plotësisht në elementin e vet, me liderin e tyre i cili e shndërroj këtë tubim në një tubim për kauzën e bashkimit kombëtar të shpresojmë se dy partitë tjera organizuese të këtij tubimi më në fund ta kenë kuptuar se kanë hyrë plotësisht në lojën e VV-së, dhe se për një gjë të tillë nuk do ta kenë përkrahjen e votuesve të tyre.
“Të shpresojmë sinqerisht që tani të kthehemi tek institucionet, për të cilat është derdhë gjak, mund e djersë – të kthehemi atje ku mund ti zgjidhim problemet në mënyrë demokratike e të civilizuar, përfundoi Gecaj.