Lajmet e fundit

Gjakova nesër kundërshton vizitën e pelegrinëve serbë, dyshohet se do të vijë edhe Jabllanoviqi

Një iniciativë për të kundërshtuar vizitën e përvitshme të pelegrinëve ortodoksë serbë me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse në Gjakovë është ndërmarrë sërish.

Mimoza Shala, një nga iniciatoret e këtij aktiviteti kundërshtues, tha se në këtë këtë grupacion të pelegrinëve serbë të besimit ortodoks dyshohet që mund të marrë pjesë edhe ish-ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq,

Jabllanoviqi ishte shkas i një sërë protestash masive në Kosovës pas deklaratave të tij për nënat e të pagjeturve dhe qytetarët e Gjakovës të cilët kishin dalë për ta kundërshtuar vizitën e pelegrinëve në Gjakovë vitin e kaluar.

Ai, protestuesit dhe nënat gjakovare i kishte quajtur “egërsira”.

“Do të dalim të protestojmë për arsyet e njëjta. Çdo herë që vinë të na vizitojnë, nuk dihet se kush mund të vije si pelegrin apo kriminel që ka marrë pjesë në krimet e luftës në Gjakovë. Nesër, dyshohet që do të vije edhe Jabllanoviqi. Ai vitin e kaluar protestueset, nëna e personave të pagjetur, i ka quajtur egërsira. Kështu që edhe nesër nga ora 08:00, eventualisht 09:00, do të jemi përpara Kishës për të kundërshtuar vizitën e tyre”, tha Shala për KosovaPress.

Shala tha se ky aktivitet do të jetë simbolik për t’ju treguar atyre se nuk janë të mirëseardhur në Gjakovë.

“Ideja është me qenë më shumë simbolike, d.mth në mënyrë paqësore, dhe jo të konfrontohemi me ata apo të organizojmë protestë masive. Thjesht, t’u tregojmë se si çdo herë tjetër nuk janë të mirëseardhur në këtë qytet”, theksoi Shala.

Ajo theksoi se në mbështetje të këtij aktiviteti kundërshtues të qytetarëve të Gjakovës, kanë dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje, tifozët “Kuq e Zi” dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. /KosovaPress/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.