Manifestimi sportiv në atletikë “Vrapo me FSK-në, Gjakovë 2015”, në shtegun prej dhjetë kilometra ka nisur sot në Gjakovë.
Ky manifestim ka për qëllim që mjetet e përfituara pas kalimit të shtegut të paraparë, të shkojnë për ndihmë fëmijëve në nevojë të komunës së Gjakovës.
Shtegun prej dhjetë kilometra në kategorinë e femrave e para e ka kaluar Fjolla Margata, kurse nga kategoria e meshkujve ngadhënjyes ka dalë Emin Grajçevci nga Prishtina.
Në manifestimin “Vrapo me FSK-në, Gjakovë 2015”, mori pjesë edhe kryetarja e Komunës së Gjakovë, Mimoza Kusari-Lila. Ajo është shprehur e kënaqur me organizimin dhe interesimin e pjesëmarrësve.
E para e komunës së Gjakovës ka theksuar se në të ardhmen në Gjakovë do të mbahet edhe gjysmë maratona në distancën prej 20 kilometra.
Një organizim të tillë e ka përshëndetur edhe gjeneral lejtnant Rrahman Rama nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Rama tha se FSK është e qytetarëve dhe se gjithnjë do të jetë pranë tyre, ashtu siç është pranë edhe në ditën e sotshme.
Të entuziazmuar për rezultatet e tyre, janë shprehur edhe ngadhënjyesit e sotëm të vrapimit në distancë prej dhjetë kilometra.