Gjashtë vjet i kaloi nëpër spitalet e Kosovës. Shkoi edhe në Shqipëri e Turqi. Por pa ndonjë rezultat. Ani pse është veç një fëmijë 7 vjeçar, tërë këto vjet u përballë me shumë operacione, terapi nga më të ndryshmet. Herë i thanë që vuan nga leukemia, e herë nga tumori në boshtin kurrizor. Shërimin nuk e gjente dot.
Në fillim të këtij viti, familja Tërstena nga Ferizaj, me ndihmën e njerëzve qëllim-mirë, arriti ta dërgonte djalin në Gjermani për të kërkuar shërim. Tetë muaj mjekim atje rezultoi me të vetmin problem që Bleoni e ka që nga lindja-dallimin në gjatësinë e këmbëve, ku njërën e ka rreth tre centimetra më të shkurtë.
Ai u kthye në Kosovë vetëm një këpucë ortopedike që ia rekomanduan atje. Pa ndonjë ndërhyrje kirurgjike ose terapi për sëmundje të ndryshme. Thanë që Bleoni vuan vetëm nga ky problem dhe asnjë sëmundje tjetër.
Në fillim të 2015’ës, KosovaPress, solli rrëfimin për Bleonin i cili dita ditës po humbte fuqinë. Një numër i madh i njerëzve, nga Kosova e diaspora shqiptare, u lajmëruan e i dolën në ndihmë kësaj familje. Me ato para që i mblodhën, prindërit e Bleonit morën rrugën për në Gjermani, ku edhe qëndruan tetë muaj për t’ia kryer djalit të gjitha kontrollet e nevojshme, në mënyrë që t’i përcaktohet diagnoza.
Nëna e Bleonit, Valdete Tërstena në një intervistë për KosovaPress, tregon se me çfarë diagnoze dolën mjekët në Gjermani.
Që nga lindja, Bleoni nuk jetoi asnjëherë si gjithë moshatarët e tij. Qëndrimi nëpër spitale ia pamundësonte këtë.
Fatmirësisht, prindërit thonë se Bleoni veç ka nisë të drejtojë trupin, falë këpucës ortopedike që po e mbanë tash e sa muaj.
Mjekët në Gjermani, u kanë thënë prindërve se pasi t’i mbush Bleoni 16 vjet, duhet të kontrollohet në të njejtin spital dhe t’i bëhet një ndërhyrje. Ka pak shpresë që këmbët do të mund t’i përafrohen.
Ani pse problemi i Bleonit nuk mund të shërohet në tërësi, prindërit mezi përshkruan gëzimin që kanë pas kur e kanë kuptuar që djali i tyre nuk vuan nga leukemia ose tumori.
Gjashtë vjet ankth për familjen Tërstena, duke trokitur në dyert e çdo kujt që mendonin se mund të iu ndihmojë ta shërojnë djalin.
Lajmi i mirë se djali i tyre nuk ka ndonjë sëmundje të rëndë që e afron me vdekjen, u kushtoj aty para, netë pa gjumë e edhe dënim nga shteti-ndalesa e hyrjes për dy vjet në zonën shengen.
Pasi që ata nuk mund ta dërgonin djalin në Francë apo Gjermani, sipas procedurave të rregullta, ata nuk pritën dot. U nisën nëpër rrugë ilegale. Megjithatë, dëshmitë mjekësore që i kishin me vete, iu ndihmuan që lehtësisht atje të vazhdojnë rrugën për çka edhe ishin nisur- kërkimin e shërimit të Bleonit.
Gjashtë vjet, Bleoni i kaloi nëpër spitale të Kosovës, Shqipërisë e Turqisë. Askund nuk gjeti shërim. Siç tregojnë prindërit e tij, në Gjermani u thanë se gjithë ato operacione të bëra e ajo terapi që e ka marrë që 6 vjet, ka qenë e panevojshme. Prindërit e Bleonit, tregojnë se mjekët atje u kanë thënë që krejt çka ka pasë nevojë djali i tyre, është një këpucë ortopedike që të rregullojë drejtpeshimin.
Problemi i tij qenka nga lindja. E që me një ndërhyrje në moshën 16 vjeçare mund të përmirësohet pak.
Tani, Bleon Tërstena nga Ferizaj, pritet që së shpejti të ri-fillojë shkollën, dhe me ndihmën e këpucës ortopedike të mund të jetojë normalisht.