Kryetarja e Bashkisë së Këlnit thirri përfaqësuesit e policisë së qytetit për të diskutuar mbi raportet shqetësuese se 80 gra janë bërë pre’ e agresioneve seksuale e grabitjeve në vigjiljen e ndërrimit të viteve.
Një shkallë e tillë sulmesh ndaj femrave, të ndodhura kryesisht në afërsi të stacionit qendror të trenave të Këlnit, ka tronditur të gjithë Gjermaninë. Në incidente thuhet të jenë përfshirë gati 1 000 meshkuj të rinj, të dehur dhe agresivë. Shefi i policisë, Ëolfgang Albers, foli për një “dimension krejtësisht të ri të krimit”, ndërsa u kujdes të theksonte se burrat e përfshirë kishin tipare arabe apo afrikano-veriore.
Episode të ngjashme pati edhe në Hamburg. Megjithatë, sulmet e Këlnit ishin ato më seriozet. Të paktën një femër është përdhunuar e shumë të tjera janë bërë pre’ e agresioneve që ndodhën pavarësisht pranisë së shtuar policore, sidomos në zonën e katedrales gotike, ikonë të qytetit. Kryebashkiakja Henriette Reker tha se këto sulme ishin “monstruoze”: “Ne nuk mund të lejojmë që kjo të kthehet në një zonë ku mungon sundimi i ligjit. Vizitorët nuk mund të vijnë në qytetin tonë duke pasur frikën se do të bëhen pre’ e ndonjë sulmi”.
Sipas faqes informative “online” Koelner Stadt-Anzeiger, të dyshuarit nuk janë të panjohur për policinë, pasi janë përfshirë në plot episode vjedhjesh përreth stacionit qendror të trenave. Forcat e rendit tani po përpiqen të zbulojnë nëse ata që shënjestruan femrat mbrëmjen e së enjtes duke i rrethuar, ngacmuar dhe grabitur, i kishin organizuar veprimet e tyre përmes mediave sociale. Ata janë duke kontrolluar gjithashtu me kujdes videot e filmuara me telefonë celularë apo ato të marra nga kamerat e sigurisë, por pavarësisht përpjekjeve për të rënë në gjurmët e agresorëve, deri tani, për sulmet e natës së Vitit të Ri nuk janë arrestuar veçse 5 persona. (TCH)