Qeveria gjermane ka demantuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se Gjermania është fajtore për Holokaustin dhe jo palestinezët sikurse pretendoi kryeministri izraelit.
Në fjalimin e mbajtur përpara Kongresit Botëror të Zionizmit në Izrael, Benjamin Netanyahu u përpoq t’ia shkarkonte palestinezëve fajet e Holokaustit, duke thënë se “Hitleri donte vetëm t’i dëbonte hebrenjtë, ndërsa ai që ia çoi ndër mend djegien e tyre ishte myftiu i madh i Jeruzalemit”.
“Të gjithë gjermanët e dinë historinë e nazistëve të cilët edhe shkaktuan Holokaustin. Këtë histori ne ua mësojmë fëmijëve në shkolla për një qëllim të mirë, që të mos e harrojmë. Nuk shoh asnjë arsye pse duhet të ndryshohet këndvështrimi i historisë. Ne jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për këtë krim bie mbi Gjermaninë”, deklaroi zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert
Edhe historianët nxituan t’i cilësojnë të pasakta pretendimet e Netanyahut dhe vetë kreu i opozitës në Izrael, Isaac Herzog u shpreh se ato zbehin tmerrin që ishte Holokausti, ndërsa për zyrtarin e lartë palestinez, Saeb Erekat, të tilla komente nuk bëjnë gjë tjetër veçse shfajësojnë Adolf Hitlerin.
Benjamin Netanyahu pretendon se Hiteli u bind nga myftiu i madh i Jeruzalemit, Haj Amin al-Hussein në një takim që këta të fundit kishin zhvilluar në vitin 1941.