Thomas de Maiziere, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, synon ashpërsimin e rregullave të azilit, dhe do të lehtësojë dëbimin e refugjatëve
Për këtë është hartuar një projektligj, i cili për momentin ka hasur në kritika të shumta.
Në projektligjin e Ministrisë së Brendshme, parashikohen ndryshime të rëndësishme në procedurat e azilit.
“Këto ndryshime, janë të nevojshme sepse Gjermania prej muajsh është destinacioni i një numri të paprecedentë të azilkërkuesve”, citon emisioni i ARD-së “Monitor” nga drafti.
Ministri De Maiziere, prej kohësh pati njoftuar kufizimin e ndihmave sociale për azilkërkuesit, por tani mesa duket po vepron vërtetë. Projektligji po shqyrtohet në ministri, dhe në tetor do të vendoset për të në Bundestag dhe në Këshillin Federal,
“Refugjatët e ardhur nga vende të tjera të BE-së nuk duhet të kenë pretendime për të përfituar mbi bazën e ligjit të ndihmave për azilkërkuesit. Sa i takon procesit te tyre mbi bazën e rregullores së Dublinit është përgjegjës vendi anëtar, ku kanë hyrë fillimisht në BE”, ka thënë De Maiziere.
Refugjatëve që kthehen në vendin e tyre, duhet t’u jepet ndihmë për udhëtimin në formën e një bilete dhe ushqimit për gjatë rrugës. Me këtë ligj synohet të ashpërsohet dukshëm e drejta e qëndrimit. Refugjatëve, që krijojnë vetë pengesa për të mos u dëbuar, do t’u ndalohet të punojnë dhe humbasin të drejtën e ndihmës sociale.zeri