Gjermania shteti më i madhi në Evropë ka pranuar se nuk po mund t’i bëjë ballë mijëra azilkërkuesve, të cilët po mbërrijnë çdo ditë në këtë shtet, prandaj të dielën ka rikthyer kontrollet kufitare
Berlini ka bërë të ditur se kjo masë e përkohshme do të vlejë fillimisht në kufirin jugor me Austrinë, ku numri i refugjatëve është rritur jashtë mase, që kur kancelarja Angela Merkel hapi kufijtë gjermanë për refugjatët, një javë më parë.
“Qëllimi i masave të tilla është kufizimi valës së madhe të njerëzve që po vijnë në Gjermani dhe kthimi i procedurave të rregullta gjatë hyrjes së njerëzve në këtë shtet”, ka thënë Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, duke shtuar se një gjë e tillë është e domosdoshme edhe për shkaqe sigurie.
Vendimin e Gjermanisë e ka mbështetur ekzekutivi i BE-së, zyrtarë të të cilit kanë thënë se Gjermania ka bazë ligjore për rikthimin e kontrolleve kufitare.
“Rikthimi i përkohshëm i kontrolleve kufitare midis shteteve anëtare është një rast i jashtëzakonshëm, që parashihet dhe rregullohet përmes Kodit Kufitar të Schengenit, në rast të një gjendjeje krize”, ka bërë të ditur përmes një deklarate Komisioni Evropian.