Ashtu siç ishte paralajmëruar, me mbërritjen e dimrit, Gjermania ka rinisur kthimin për azilkërkuesit, përfshirë dhe ata shqiptarë.
Brenda kësaj jave pritet të kthehen në atdhe 408 persona, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Ambasada gjermane në Shqipërie ka lajmëruar dje se kthimi i refugjatëve do të bëhet në datat 5-6 nëntor, të cilët do të jenë të ndarë në tre grupe. Grupi i parë do të kthehet në datën 5, në orën 14.20.
Në avion do të jenë 160 persona. Dy grupe të tjera do të mbërrijnë pasditen e datës 6 nëntor. Masa të tilla vijnë pas paralajmërimeve të bëra nga autoritetet gjermane. Shumë zyrtarë të saj, por edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman, kanë deklaruar hapur dhe prerë se nuk do të përfitojë asnjë shqiptar azil ekonomik.
Me afrimin e dimrit pritet që në Gjermani të ulen ndjeshëm temperaturat. Vështirësitë që mund të dalin nga akomodimi në kampe, ka detyruar autoritetet italiane që të nisin kthimet masive. Sipas statistikave të muajit gusht, Shqipëria është vendi i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Gjermani.
Në krye të listës qëndron Siria, ndërsa më pas vjen vendi ynë, me mbi 8 mijë kërkesa, ndërkohë që në korrik kishte rreth 2 mijë kërkesa. Presidenti i Komisionit Evropian, JeanClaude Juncker, shpalli pak ditë më parë një listë të veçantë të BE për 7 vendet që i përcakton si të sigurta: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Turqia. Sipas propozimit të zgjeruar të shpallur nga Juncker, qytetarët e këtyre vendeve do të përballen me deportime me procedurë të përshpejtuar, nëse kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.
Pak kohë më parë, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman, ngriti shqetësimin se autoritetet shqiptare nuk po bëjnë aq sa duhet për të frenuar fenomenin. Ndërsa përfaqësues të qeverisë, por edhe vetë kryeministri Edi Rama, kanë deklaruar më herët se shumica e azilkërkuesve janë emigrantë shqiptarë në Greqi.