Gjermania ka urdhëruar ndalimin përkohësisht të lëvizjes së lirë drejt saj, duke pezulluar marrëveshjen Shengen.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada gjermane në Tiranë përmes një njoftimi zyrtar ku i referohet deklaratës së bërë sot nga ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere.
Nga deklarata e ministrit kuptohet se, shkak për këtë vendim është bërë numri i madh i azilkërkuesve që zgjedhin Gjermaninë.
Kontrolli kufitar do të jetë i përkohshëm dhe do të përqendrohet kryesisht në kufirin mes Gjermanisë dhe Austrisë. Kjo masë do të rikthejë kontrollet e rrepta në pikat kufitare që, deri më sot kanë qenë të pranishme vetëm për funksion procedural, se sa kontrollues apo frenues.
“Në këtë moment, Gjermania do të rifillojë përkohësisht kontrollin kufitar me vendet e Shengenit. Kontrollet fillimisht do të jenë të përqendruar në kufirin gjermano-austriak.
Ky veprim synon të frenojë fluksin aktual në Gjermani dhe të rifillojë procedurat e rregullta për të hyrë në vend. Ky vendim është i nevojshëm për arsye sigurie. Gjermania do të vazhdojë të respektojë rregullat e aplikueshme evropiane dhe kombëtare për mbrojtjen e refugjatëve.
Sipas ligjeve evropiane në fuqi, Gjermania nuk është përgjegjës për shumicën e madhe e atyre që kërkojnë mbrojtje. Procedura e Dublinit dhe rregulloret EURODAC vazhdojnë të zbatohen dhe unë i bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare evropiane në përputhje me to, t’i zbatojnë.
Kjo do të thotë se shteti përgjegjës anëtar, duhet jo vetëm të regjistrojë azilkërkuesit, por gjithashtu duhet të përpunojë aplikimet e tyre. Dhe azilkërkuesit duhet të pranojnë faktin se ata nuk mund të zgjedhin që një shtet anëtar i BE-së t’u japë atyre mbrojtje. Ky veprim është bërë shumë i nevojshëm.
Gjatë javëve të fundit, ka pasur një vullnet të madh në Gjermani për të ndihmuar. Me këtë vendim po i dërgojmë një sinjal dhe Evropës. Gjermania po përmbush detyrimet e saj humanitare. Megjithatë, barra që lidhen me numrin e madh të refugjatëve duhet të ndahet në Evropë në frymën e solidaritetit. Unë do të insistojë për këtë në takimin e ministrave të punëve të brendshme të BE-së nesër”, deklaroi ministri De Maiziere.