Kryetari i degës së AAK-së në Gjakovë, Ardian Gjini ka reaguar ndaj emërimit të Mimoza Kusari- Lilës në Bordin Drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Lexojeni të plotë shënimin e tij:
Çka i duhet Kryetarja e Komunës Universitetit dhe çka i duhet Universiteti Kryetares së Komunës?
Së pari, ka shumë veprime që nuk janë të ndaluara me ligj por që nuk janë fare etike. Arsyetimi se emërimi i Kryetares së Komunës së Gjakovës në Bordin e Universitetit Publik Fehmi Agani nuk është i ndaluar me ligj është i prapë dhe i pamoralshëm. Ministri Arsim Bajrami e ka bërë një veprim të pamoralshëm (me insistimin e kujtdoqoftë). Ai e ka vërtetuar se ‘depolitizimi i institucioneve të arsimit’ ka mbetur vetëm frazë pafytyrësie, e njerëzve që nuk iu vie fare turp të gënjejnë publikisht.
Por pyetjet thelbësore janë ‘çka po i duhet Kryetarja e Komunës Universitetit dhe çka po i duhet Universiteti asaj?
Përgjegja në pyetjen e parë është ASGJË! Mimoza Kusari Lila nuk i duhet fare Universitetit. Aq më tepër Gjakova ka shumë njerëz me tituj akademik të shkallëve shumë më të avansuara dhe me shumë më shumë kredibilitet shkencorë dhe akademik se sa Kryetarja e Komunës. Pse të mos jetë një prej tyre në Bord? Kush do t’i sjellte më tepër kualitet Universitetit, një Profesor Universiteti, për shembull, apo një zëvendës Kryetare e një partie politike? Pse politika duhet ta zaptojë çdo pore të jetës, deri te ajo akademike? A po i duket Kryetares së Komunës se ka pak punë në Komunë dhe se ajo me ‘aftësitë e saj’ mund të merret edhe me punë tjera tepër serioze?
Përgjegja në pyetjen e dytë është në fakt çelësi i të kuptuarit të kësaj qështjeje. Kryetares së Komunës së pari i shtohen edhe nja një mijë e pesëqind Euro të ardhura në muaj. Së dyti, ajo në Universitetin Pubulik e shtrin ndikimin e grupeve politike të interesit që e mbështesin. Në punësimin e stafit akademik, në regjistrimin e studentëve e çkamos tjetër.
Kusari Lila mund të gjejë shembuj justifikues sa të dojë, por ky veprim nuk i ka hije një personi që ka hyrë në politikën e Kosovës me gojën plot demokraci perendimore, gradë shkencore perendimore, etikë, moral, luftë kundër korrupsionit e nepotizmit…you name it!!!
Ky është shembulli më i keq që mund ta japë një politikane si Kusari Lila! Ajo ka dëshmuar se nuk ndryshon fare prej politikanëve që nuk e kanë as fijen e dijes dhe ndjenjës se çka është arsimi. Krejt njejtë u tregua!
Nëse Gjakova do të kishte mbetur në Mimoza Kusari Lilën për t’ia përmirësuar kredencialet akademike, nuk do të kisha shkruar fare. Por nuk është ashtu. Gjakova nuk varet nga Kusari Lila për t’ia përmirësuar kredencialet. Por në këto rrethana politike Gjakova është bërë mjet pune për t’i përmbushur ambiciet klienteliste dhe nepotiste të grupeve bizare të interesit, e kryetarja e Komunës është bërë vegël, me vetëdije të plotë.