Lajmet e fundit
Gjithçka gati për turneun “Adem Jashari”

Gjithçka gati për turneun “Adem Jashari”

Tashmë është gjithçka gati për fillimin e edicionit të 15-të të turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”. Një konstatim të tillë e kanë dhënë anëtarët e Këshillit Organizativ të këtij turneu, i cili do të nisë nesër në orën 12:0 me meçet e para gjysmëfinale, që do të zhvillohen në Prishtinë, derisa meçet finale do të zhvillohen të shtunën në Gjilan.
Në këtë turne do të marrin pjesë boksierë nga 10 shtete, kurse rivaliteti në ring pritet të jetë i fortë. Përzgjedhësi i përfaqësues së Kosovës në boks, Xhevdet Peci, në konferencën e fundit para këtij turneu, që u mbajt sot në kryeqytet, ka deklaruar se boksierët kosovarë që do të marrin pjesë në këtë turne janë të gatshëm për t’i shfaqur vlerat e tyre dhe për të kaluar në finale.
Madje, ai është i bindur se trofeu kryesor i këtij turneu do t’i takojë ndonjë boksieri kosovar. “Boksierët tanë janë të përgatitur, prandaj pres që ata t’i përmbushin pritshmëritë tona. Besoj se Kupa e Komandantit Adem Jashari kësaj radhe të mbetet në Prishtinë”, ka thënë Peci.
Optimist është shfaqur edhe boksieri Liridon Zeqiri. “Në turnetë e ndryshëm ndërkombëtar, por edhe në Kampionatin botëror kemi treguar se kemi nivel të mirë dhe jemi të përgatitur për sfida të mëdha, pranmdaj besoj se në turneun ‘Adem Jashari’ do të arrijmë të kalojmë në finale, por edhe ta fitojmë trofeun kryesor”, ka thënë Zeqiri. Krahas tij Kosovën në këtë turne e përfaqësojnë edhe Gazmend Gashi, Arian Gashi, Armend Xhoxhaj dhe Arian Çuni. Boksieri më i mirë i turneut që do ta fitojë kupën ‘Adem Jashari’ do të shpërblehet edhe me 500 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.