Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, nuk e ka thënë të vërtetën kur ka folur sot për atë se çfarë është dialoguar mes palëve në Bruksel.
Gjurqi tha se deklaratat e Tahirit, se Aleksander Vuçiq ka gënjyer nëse ka thënë se është folur për pasurit shtetërore të Kosovës në Bruksel, janë provokim dhe sulme drejtuar shefit të Qeverisë serbe, të cilat do të krijojnë më shumë tension dhe atmosferë të keqe për dialogun, shkruan Tanjug, përcjellë Klan Kosova.
Politikani serb, në një intervistë për të përditshmen serbe deklaroi se shtrembërimi i vazhdueshëm i bisedimeve për marrëveshjet në Bruksel, nga Tahiri dhe kolegët e saj vë në pikëpyetje sinqeritetin dhe angazhimin e palës kosovare për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kur bëhet fjalë për pasuritë e Kosovës, ne nuk shohim ndonjë arsye pse Tahiri dhe politikanët e tjerë kosovarë t’u ikin diskutimeve, përveç nëse do ta bënin për faktin se ata e dinë që Beogradi ka dokumentacionin për të gjitha këto objekte dhe burime natyrore”. Tha Gjuriq.
Tahiri më herët ka deklaruar për Radio KiM se potenciali turistik i Brezovicës, apo Trepça e Gazivoda janë pasuri kombëtare e Kosovës dhe për to e asete tjera shtetërore asnjëherë nuk është biseduar në Bruksel.
“Serbia ka provuar që të iniciojë një diskutim të tillë në Bruksel, por ne kurrë nuk kemi pranuar që ajo të jetë në rend dite. Edhe pse ju mund të keni dëgjuar disa herë nga kryeministri Aleksandar Vuçiq për këtë çështje, unë dua t’ju siguroj se një bisedë e tillë kurrë nuk ka ndodhur”, u ka thënë Ministrja Tahiri reporterëve serbë të Radio KiM.