Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se iniciativa e Prishtinës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së marrëveshjeve të Brukselit, është një skandal ndërkombëtar.
Ai ka thënë se vlerësimi i marrëveshjeve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me iniciativë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga bëhet me qëllimin për ta penguar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe se për këtë ai do ta informojë Qeverinë e Serbisë në seancën e nesërme, transmeton Indeksonline.
Gjuriq ka thënë se ka komunikuar me përfaqësuesit serb në Kosovë, dhe se kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq është në takim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe delegacionin nga Brukseli që nesër vjen nga Brukseli në Beograd.
“Nuk është një, janë tre hapa prapa në normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit, dhe kjo gjë nuk duhet të shpëtoj pa një reagim nga BE-ja, që është garantues i marrëveshjes”, ka thënë Gjuriq për gazetarët. /Indeksonline/