Lajmet e fundit

Gjuriq: Kosova pa serbë s’do të jetë Kosovë

Prishtina dhe Beogradi gjatë viti 2015 prodhuan shumë letra në bisedimet e ndërsjella, por tepër pak normalizim të marrëdhënieve dhe tepër pak afrim dhe pajtim të njëmendtë, vlerëson drejtori i Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq.
Në intervistën për KosovaPress-in, Gjuriq bën rekapitullimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë gjatë vitit 2015, flet për zhvillimet rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe pritjet për vitin 2016.

Këtë vit, thotë ai, e shënuan probleme të mëdha socio-ekonomike, të cilat i goditën edhe serbët edhe shqiptarët.
Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën shpreson për një vetëdijesim më të lartë të të dy palëve, se serbët dhe shqiptarët në të ardhshmen do ta shohin njëri-tjetrin jo vetëm si pjesë të problemit, por edhe si pjesë të zgjidhjes së problemit.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjuriq vlerëson se kjo çështje për elitat politike të shqiptarëve të Kosovës, fatkeqësisht, është bërë çështje e konflikteve të brendshme politike. Aq më shumë, sipas tij, Asociacioni fare s’ka të bëjë me statusin e Kosovës.

Sipas tij, Asociacioni merret vetëm me krijimin e parakushteve institucionale për mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Në pyetjen se si pret që të zhvillohet situata rreth formimit të Asociacionit, Gjuriq përgjigjet se marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet patjetër të zbatohen.

I pyetur se çfarë janë marrëdhëniet e institucionit që ai drejton me Qeverinë e Kosovës, përveç me ministrat serbë në të, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën thotë se Qeveria e Kosovës është partner me të cilin bisedojnë dhe bashkëpunojnë.

Të dy palët, shton ai, punojnë në zbatimin e marrëveshjeve, në shumë çështje që janë me rëndësi, jo vetëm për komunitetin serb në Kosovë, por për raportet e gjithmbarshme mes Beogradit dhe Prishtinës.

Përndryshe, shtoi ai, “qytetarët këtë s’do të na e falin dhe do të jenë të hidhëruar edhe me njërët edhe me tjerët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.