Lajmet e fundit

Gjurmët e saja në qytetin tim

Enis Reçica

Hapat e vetmisë po puthiten me lagështinë e rënë nëpër kockat e rrugëve përplot gjurmë të saja në qytetin tim. Lagështia shenjat e këmbëve të saja nuk i largonte dot, nuk i qullte dot, por as shiu nuk i kishte fshirë ato, nuk i kishte lagur fare, e në këtë dimër ndoshta bora do i zbardhonte dhe me shkrirjen e saj, mbase, do largohen edhe gjurmët. Shumë pak kishte ecur, por shumë e shenjën e la mbrapa, duke mos e menduar fare. E hapat e vetmuar të ecjes sime ngarendshin sa andej e sa këndej për tu munduar të binin në të njëjtat shenja. Këmba e saj kishe qëlluar më e vogël se imja, e qyteti im shumë më i madh, por madhësia e tij ishte shkrirë në një kujtim të hapave të vegjël të saja. Si një qenë gjahtarësh mundohesha t’i gjej ata hapa edhe njëherë. Ishin e vetmja gjë që kisha nga ajo. Ishin i vetmi kujtim që nuk fshihej dot, dhe nuk dihej se kur do të përtëriheshin po të njëjtit hapa. Nga ana tjetër, hapat e mi në qytetin e saj ishin fshirë që moti, atëherë kur liqeni pranë brigjeve të atij qyteti të luleve, ashtu siç njihej ndër vite, kishte shtuar ujin dhe hapat e mi i kishte rrëmbyer në thellësinë e tij. Në atë rrugë këmbësorësh, në të cilën patën rastin hapat e mi ta shkelnin një shkuarje-ardhje, dhe me aq nuk lanë gjurmë, por edhe me një valë të lehtë të liqenit u shuan të tëra. Sa qytet i bukur, por mosmirënjohës ndaj gjurmëve të mija. Edhe pse ndoshta, thellë në zemrën e tij, në thellësinë e tij, gjendeshin gjurmët e mija. Ishin të ruajtura në sirtarët e thellësisë së shpirtit grabitës të tij. Ndërsa, me gjithë respektin, qyteti im i kishte ruajtur dhe po i ruan edhe më ato gjurmë. Mbase është qytet pa lum. Apo, ndoshta, unë i vëreja akoma ato gjurmë. Gjurmë që nuk po largohen kurrë. Nuk i largoi as nxehtësia verore, as shiu vjeshtor. U mundua që mjegullnaja e dimrit të sapo ardhur t’i turbulloj paksa, por në një rreze të lehtë diellore po shpërfaqeshin përsëri. Dhe tani, dimrin, borën e parë, si duket, për herë të parë më duhet ta urrej nga trishtimi se do t’i mbuloj gjurmët e saja. A thua me shkrirjen e kësaj bore do shkrihen edhe hapat e saja nëpër qytetin tim? A thua me shkrirjen e kësaj bore, gjithë bardhësi, do shkrihen edhe gjurmët e saja në trupin tim? Ndoshta, bota nuk do mbaj gjurmë të saja për shumë kohë, por zemra ime do mbaj gjurmët e saj për aq kohë sa të jetoj dhe vet. Zemra e mbushur nga grimca gjurmësh të saja, nga grimca përqafimi, e nga grimca kujtimi mbushën qytetin tim dhe nuk po fshihen dot, nuk do zhduken kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.