Gjykata e Tiranës nuk mund të vendoste asnjë masë tjetër lehtësuese ndaj Ismail Morinës, i njohur ndryshe si Ballisti, i cili u arrestua më 7 tetor për armëmbajtje pa leje.
Në konkluzionet e veta, Gjykata thotë se: “Asnjë masë tjetër nuk mund të jetë e përshtatshme, për shkak se vetë personi nën hetim paraqet në këto momente rrezikshmëri të lartë shoqërore”.
Duke qenë se Ballist Morina është personi që ngriti dronin me banderolën e “Shqipërisë së Madhe” në stadiumin e Beogradit një vit më parë, tensionet për ndeshjen me Serbinë në “Elbasan Arena” ishin të shumta dhe kishte thashetheme se Ballisti, do të organizonte ndonjë spektakël tjetër të ngjashëm me atë të dronit.
Duke gjykuar edhe konkluzionet e Gjykatës për masën “arrest me burg”, duket se ekzistonte edhe një lloj frike se Ballisti mund të kryente ndonjë vepër penale gjatë ndeshjes me Serbinë, duke qenë se u arrestua me dy pistoleta pa leje.
“Për nga mënyra dhe rrethanat e faktit e kryerjes së kësaj vepre penale, d.m.th. mbajtja në publik e dy pistoletave dhe municioneve luftarake e rritin rrezikshmërinë e tij personale duke shtuar dyshimin se ai ndërkohë mund të kryejë edhe vepra të tjera penale të kësaj natyre”.
“Ndonëse personi nën hetim ka dhënë sqarime për zbardhjen e ngjarjes, kjo nuk e ul rrezikshmërinë e tij personale”.
“Fakti që personi nën hetim Ismail Morina është një personazh i njohur në lidhje me veprimet e tij si tifoz i grupimit ‘Kuq e Zi’, nuk e ul rrezikshmërinë e tij dhe të veprës për të cilën dyshohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.