Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesat e palës mbrojtëse në rastin e “Grupit të Llapit”, si të paafatshme.
Në këtë mënyrë do të zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme që të pandehurit Latif Gashi, i njohur si Lata, deputet i Kuvendit të Kosovës, e gjatë udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak; Rustem Mustafa i njohur si Remi që në kohën e luftës ka qenë komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmeti ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake do të shkojnë në vuajtje të dënimit.
Që të tre janë shpallur fajtorë për pikën 8 të aktakuzës së ndryshuar, përkatësisht për krime të luftës kundër popullsisë civile, në veçanti trajtim çnjerëzor, shkaktim i vuajtjeve të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, terrorit dhe torturës, në kundërshtim me nenin 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Latif Gashi do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5, 8 dhe 14 prej 6 (gjashtë) vjet burgim, i pandehuri Nazif Mehmeti do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5 dhe 8 prej 3 (tre) vjet burgim, ndërsa i pandehuri Rrustem Mustafa do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5 dhe 8 prej 4 (katër) vjet burgim.
Ata nga muaji tetor 1998 deri kah fundi i prillit 1999, L.M. dhe N.M. dhe R.M., me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë në përpjekje të detyrimit me forcë të këtyre të burgosurve që t’i pranojnë aktet e pabesisë së tyre ndaj UÇK-së.