(E plotësuar) Gjyqtarja Afërdita Bytyqi refuzon kërkesat e mbrojtjes së Hasanit dhe të tjerëve për hedhje poshtë të aktakuzës.
“Kjo çështje duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor dhe të procedohen provat e propozuara nga prokuroria si dhe nëse do të ketë edhe prova tjera me qëllim që të zbardhet dyshimi i bazuar nëse të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen,” tha gjyqtarja Bytyqi.
Mbrojtja ka të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi, raporton Kallxo.com.
—
Së shpejti do të fillojë seanca e gjykimit të Enver Hasanit që akuzohet për mashtrim në detyrë.
Hasani që ishte nga viti 2009 deri në 2014 kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë. Pjesë e këtij gjykimi bashkë me Hasanin janë edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.
Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.
Prokuroria pretendon se kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.
Seanca fillestare e këtij gjykimi u mbajt më 8 dhjetor. Në të Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm.
Për aktakuzën Hasani pas kësaj seance e akuzoi kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi.
/Kallxo.com