Budva e Malit të Zi ka qenë vendi i trajnimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, gjegjësisht të profesionistëve ligjorë të veriut të Kosovës, të cilët janë kandidatë për t’iu bashkuar sistemit të integruar të drejtësisë në veri të Kosovës.
Trajnimet i ka organizuar misioni i OSBE-së në Kosovë.
Prej 16 deri më 20 maj, profesionistët ligjorë të veriut të Kosovës kanë mësuar se si të ndahet drejtësia nga lëmi i standardeve të të drejtave të njeriut gjatë procedurës gjyqësore, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.
Ata janë informuar dhe përfshirë në diskutime thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, që kërkohen për të siguruar një gjykim të drejtë. Trajnimi përbëhej nga prezantime dhe ligjërata mbi standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mjetet për të bërë kërkime në bazën e të dhënave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të drejtat e qasjes në drejtësi dhe
barazi në administrimin e drejtësisë, të drejtën për gjykim publik, të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe privilegjit kundër vetinkriminimit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, parimit të barazisë së armëve dhe të drejtën në dëgjim, përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të themeluar me ligj.