“Mendoj që Hashim Thaçi nuk është personi i duhur për President të Kosovës”
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i ftuar në emisionin “Rrokum roll” në TV Rrokum, duke folur për gjendjen e krijuar pas bllokimit të punës së Kuvendit nga opozita, ka thënë se nuk ka bllokadë politike. Ai tha se personalisht do të votojë kundër demarkaconit me Malin e Zi, e poashtu nuk do ta votojë as Thaçin për President.
Gashi ka ftuar opozitën të kthehet në Kuvend dhe të lejojë debatin.
“Edhe unë nuk e votoj marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, prandaj opozita duhet me u kthye në Kuvend për me i dhanë votat e tyre kundër kësaj marrëveshje”, theksoi Gashi.
“Bllokadë politike nuk ka, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk po i përmbahet rregullave të mbajtjes së një seance Kuvendi, të cilat janë te caktuara. Po mundohet të mbajë dialog gjithpërfshirës. Pra nuk ka bllokadë politike, ka vetëm bllokadë fizike të seancave të Kuvendit”.
Ai tha se nëpërmjet bllokimit fizik nuk mund të bllokohen marrëveshjet. “Vetëm me debat bllokohen marrëveshjet”, vlerësoi Gashi.
“Edhe unë vet personalisht kam dyshime se marrëveshjet nuk janë plotësisht të mira për Kosovën. Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet në Kuvend, dhe me u votu nga 80 deputetë. Por si po duket nuk janë 80 deputet që kanë me e votue këtë marreveshje”,tha Gashi, transmeton Telegrafi.
Ai tha se mungon vullneti i partnerëve të koalicionit për ta zhbllokuar këtë situatë, duke potencuar se një gjendje e tillë nuk duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Gashi edhe njëherë ka përsëritur qëndrimine e tij se nuk do ta votojë Thaçin për president.
https://www.youtube.com/watch?v=XTm6ijBIxYY