Sociologu dhe analisti Dukagjin Gorani, për të cilin disa herë është shkruar në medie për aderim të mundshëm në Lëvizjen Vetëvendosje, e ka mohuar edhe një herë tjetër bashkimin e tij me këtë parti. Për mediat vendore, analisti Gorani ka thënë se takimi i tij me liderin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri është krejtësisht miqësor.
Ai madje ka treguar se me Ymerin se përveç një miqësie, ata kanë qenë dikur edhe kolegë në fushën e gazetarisë.
“Nuk është normale kjo çfarë po shkruajnë. Unë kam pirë kafe me Visarin sepse e kam mik të vjetër. Madje kemi qenë edhe kolegë gazetarë. Nuk bëhet fjalë që unë po i bashkohem Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Gorani.
Ndryshe analisti Dukagjin Gorani qysh kur kishte deklaruar se do të formojë një subjekt të ri politik, ka qenë i përfolur në medie se ka shpeshtuar takimet me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ngritur dyshimet për një bashkim në këtë parti.
Por në anën tjetër, Gorani ka hedhur poshtë disa herë këtë lajm, duke i cilësuar krejt të zakonshme takimet me zyrtarë të Vetëvendosjes.