Lajmet e fundit

Gorani: Lajmi për bashkimin me VV-në është spekulim. Nuk kam folur me askënd!

Vjen edhe demantimi i menjëhershëm. Analisti i njohur dhe ish- këshilltari i Hashim Thaçit, nga i cili tashmë disa vite është ndarë, por për këtë ka vazhduar të jetë i pranishëm në opinionin e Kosovës me qasje më se kritike ndaj punës së Qeverisë së Kosovës, Dukagjin Gorani, ka reaguar ndaj lajmit që u publikua sot pasdite se ai bashkë me “Listën e tij” do t’i bashkohet Vetëvendosjes, raporton Gazeta Blic.

Gorani, në një prononcim dhënë Gazetës Blic, ka thënë se lajmi në fjalë “është spekulim dhe nuk mund të quhet lajm”.

“Unë s’kam folur me askënd prej Vetëvendosjes për këtë punë, nuk e di nga këto  burime. Askush s’më ka thirrur në telefon. Nuk e di as për çka bëhet fjalë. Kjo së pari nuk është lajm. Nuk mundesh me e demantu një gjë që nuk ka ndodhur. Kjo është spekulim”, ka thënë Gorani në deklaratën për Gazetën Blic.

Pak më herët, një portal dhe më pas pothuajse të gjitha tjerat kanë raportuar se gjoja Gorani po bisedon me VV! për t’iu bashkuar asaj në rast se do të mbaheshin zgjedhjet në pranverë. Fakti që me Goranin s’ka biseduar askush më parë në fakt zhvesh një të vërtetë të madhe: makinerinë e mediave që s’e kanë merak të shpifin. Kuptohet kur për këtë marrin udhëzimet që s’kanë si të mos quhen veçse urdhëra nga “shefat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.