Lapsi.al mëson detaje të tjera nga ngjarja e ndodhur sot në mesditë në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Qafës së Kasharit, ku u sulmua dhe më pas u grabit një automjet i blinduar që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë. Burime të Lapsi.al thonë se bëhet fjalë për një shumë prej 3 milionë eurosh.
Në komunikatën e shpërndarë për mediat policia nuk e bëri publik emrin e bankës e as shumën e grabitur, ndërsa sqaroi dinamikën e ngjarjes. Në mesditë në vendin e quajtur rruga e Kasharit, pa kthyer në Laknas, një automjet tip fuoristradë i ka prerë rrugën dy automjeteve të një firme private sigurimi “Rogat Security” të cilët ishin duke transportuar paratë.
Dy automjetet e sigurisë private, një furgon i blinduar me targa TR 46 17 L dhe automjeti tjetër shoqërues po i kësaj shoqërie fizike me targa AA 169 DF të cila ishin duke udhëtuar në drejtim të Rinasit, kur ju ndërpritet rruga nga një automjet tip fuoristradë me targa TR 8801E, në të cilin dyshohet se udhëtonin disa persona.
Në këto memente mjetet janë ndaluar nga mjeti tip fuoristradë nga e cila kanë zbritur disa persona të veshur me pajime policie, maska dhe armë zjarri , të cilët me anë të një sendi kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private duke i shtrirë në tokë, dhe pasi kanë marrë sasinë e lekëve janë larguar me automjetin e tyre.
Dyshohet gjithashtu që këta persona të kenë gjuajtur me armë zjarri, pasi në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja.
Personat pasi janë larguar me automjetin e tyre tip Fuoristradë, e kanë braktisur atë në afërsi të City Park duke e djegur.
Janë shoqëruar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë, 6 punonjësit e policisë private për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Policia po punon për zbardhje e plotë të ngjarjes si edhe kapjen e autorëve duke mobilizuar të gjithë punonjësit e Policisë dhe ngritur pika kontrolli.
Lapsi.al që në momentet e para publikoi foto dhe video nga vendi ku grabitësit u kishin vënë flakën automjetit, me të cilën ia mbathën pas grabitjes së parave. Banka Credins është një prej bankave të rëndësishme në vend, e themeluar vite më parë nga bankieri i ndjerë, Artan Santo. Ky i fundit u ekzekutua dy vjet më parë përballë hyrjes në selinë qëndrore të bankës në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ekzekutimi mafioz është ende pa autor./lapsi.al/