Arbesa Ibrahimi
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka vlerësuar se Kosova nuk është në një krizë siç po thuhet, pasi sipas tij, të gjitha institucionet janë duke funksionuar, përpos Kuvendit të cilin po e bllokon Opozita. Ai në një intervistë dhënë Gazetës Blic, duke folur rreth protestës së nesërme të thirrur nga partitë opozitare, ka theksuar se data e 28 Nëntorit, nuk do të duhej assesi të përdorej për qëllime politike, ashtu si po vepron Opozita në këtë rast, sipas tij.
Grabovci më tutje, ka thënë se afërsia me AAK-në, për të cilën u përfol kohëve të fundit, nuk domethënë që kjo parti do të futet në Qeveri.
“Qeveria do ta vazhdojë mandatin e saj, siç e ka të përcaktuar me kushtetutë deri në vitin 2018. Afërsia nuk rrjedh si domosdoshmëri për të qenë në një koalicion, por si pasojë e marrëdhenieve të ndërtuara vite me radhë në politiken kosovare, pasi kemi miq e bashkëveprimtarë në të gjitha partitë politike. Andaj, kjo s’duhet nënkuptuar si afërsi për ndonjë riformatim të pretenduar nga kushdoqoftë, ka thënë për Gazetën Blic, deputeti Grabovci.
Ai më pas, është shprehur edhe rreth asaj që u raportua se Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ka gjasa të hyjë në Partinë Demokratike. Sa i takon kësaj, Grabovci ka thënë se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, megjithëkëtë ka lënë mundësinë e hapur për t’u kyçur në PDK, për ata persona që konsiderojonë se do të punojnë për të mirën e vendit.
Brenda kësaj bisede, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur edhe rreth Asociacionit e Demarkacionit, planit të Vjosa Osmanit e Ilir Dedës, si dhe zgjidhjes së mundshme të kësaj situate.
Gazeta Blic: Z. Grabovci, si e vlerësoni gjendjen e tanishme politike, ku dihet se akoma nuk është arritur një zgjidhje për tejkalimin e krizës?
Adem Grabovci: Natyrisht se situata nuk është ajo që do të dëshironim të ishte, ashtu siç nuk qëndron as tendenca për ta krijuar përshtypjen e krizës politike në Kosovë, pasi kemi funksionim normal të të gjitha institucioneve, përjashto Kuvendin e Kosovës ku opozita po përpiqet ta paraqesë si krizë politike. Ka tendencë për bllokim të jetës parlamentare edhe pse trupat e Kuvendit, duke përfshirë Kryesinë dhe Komisionet parlamentar janë duke funksionuar rregullisht dhe pa probleme, përfshirë edhe vizitat zyrtare ku edhe opozita merr pjesë.
Gazeta Blic: Opozita ka thirrur protesta më 28 Nëntor. Si mendoni se do të jetë situata atë ditë?
Adem Grabovci: 28 Nëntori është dita e kombit shqiptar dhe këtu nuk ka askush të drejtë që një ditë kaq të madhe festive ta përdorë për qëllime politike, dhe jo vetëm që mund të zbehet, por edhe mund të prishet! Uroj që kjo ditë të jetë festive, qytetarët këtë ditë ta festojnë, e të mos protestojnë. Viti kalendarik ka ditë të mjaftueshme për shprehje të pakënaqësisë, si e drejtë kushtetuese e garantuar, por jo në këtë ditë që është e madhe për të gjithë shqiptarët.
– Opozita ka vetëm pretekst këto dy marrëveshje, por jo edhe qëllim të vetëm!
Gazeta Blic: A do të lëshojë pe qeveria, karshi kërkesave të opozitës? Pra, a ka mundësi që të anulohet ndonjëra prej marrëveshjeve, apo që të dyja?
Adem Grabovci: Institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi, kanë reflektuar rreth këtyre dy pretendimeve opozitare, madje edhe kanë ofruar zgjidhje. Marrëveshja për Asociacionin është në Kushtetuese dhe presim përgjigjen kushtetuese, sepse politika s’mund të përgjigjet në këtë rast. Kjo marrëveshje është e miratuar në Kuvendin e Kosovës, me 2/3 e tij dhe vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta tërheqë me 2/3 votave.
Sa i përket Demarkacionit, këtu besoj shumë se kemi reflektim të mjaftushëm për të pasur zgjidhje, madje edhe personalisht jam marrë për se afërmi dhe kam kërkuar që mbi bazën e atij konstatimi të ekspertëve, të kemi ekspertizë shtesë e cila do ta fuqizonte, apo ta kontestonte ekspertizën paraprake. Qeveria ka bërë thirrje që të kemi ekspertë nga të gjitha fushat, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendor, përfshirë edhe të opozitës. Pas kësaj, çdo përpjekje për bllokim të mëtutjeshëm të Kuvendit, mendoj se humb kauzën e opozitës dhe vërteton atë që kemi thënë, se opozita ka vetëm pretekst këto dy marrëveshje, por jo edhe qëllim të vetëm.
– Afërsia me AAK-në, nuk do të thotë që ajo do të hyjë në qeverisje!
Gazeta Blic: Ditëve të fundit është vërejtur një afërsi mes koalicionit PDK-LDK dhe AAK-së. A ka mundesi që ky subjekt të futet në qeverisje?
Adem Grabovci: Qeveria është krijuar mbi parimet e dy partive më të mëdha politike, PDK-LDK. Qeveria, si e tillë do të vazhdojë mandatin e saj siç e ka të përcaktuar me Kushtetutë deri në vitin 2018. Afërsia nuk rrjedhë si domosdoshmëri për të qenë në një koalicion, por si pasojë e marrëdhenieve të ndertuara vite me radhë në politikën kosovare, pasi kemi miq e bashkëveprimtarë në të gjitha partitë politike. Andaj, kjo s’duhet nënkuptuar si afërsi për ndonjë riformatim të pretenduar nga kushdoqoftë.
– Jemi të hapur për ata që konsiderojnë që brenda PDK-së, mund të kontribuojnë!
Gazeta Blic: Poashtu, ështe raportuar edhe për mundësinë që Mimoza Kusari- Lila të vie në postin e nënkryetares së PDK-së. A ka gjasa të ndodhë kjo?
Adem Grabovci: Edhe pse nuk paskam dëgjuar për një mundësi të tillë, ju dhe gjithë opinioni publik e dini se PDK-ja është parti e vlerave të mirëfillta, qytetare, kombëtare, intelektuale dhe politike. Jemi dhe do të vazhdojmë të jemi të hapur për secilin që konsideron që brenda PDK-së, mund të kontribuojë për vendin e tij. PDK, ka rregulla demokratike, mbi të cilat secili i respekton në rrugëtimin e tij brenda PDK-së
Gazeta Blic: Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën e radhës për të hënën, kurse opozita ka paralajmëruar prapë bllokim. Si e shihni ju këtë?
Adem Grabovci: Kuvendi po vazhdon t’i kryejë detyrat e tij sipas agjendës dhe planit vjetor të punës që ka, pavarësisht se ka tendenca për ta bllokuar Kuvendin dhe për ta shpërfaqur si bllokim ta jetës institucionale në Kosovë. E thashë më lart, se kjo nuk ekziston dhe s’ka arsye të vazhdohet me tendenca të tilla. Kuvendi do ta vazhdojë punën e tij siç e ka në agjendë. Këtë po e kërkon nevoja e Kosovës për integrim dhe zhvillim ekonomik, si dhe po e kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë ta ndihmojnë Kosovën, në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të githëmbarshëm dhe fuqizimit të shtetit, si brenda ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
– Vendimet e drejtësisë nuk i komentoj!
Gazeta Blic: Para disa ditësh, është arrestuar deputetja Kadaj- Bujupi, me ç’rast i është caktuar 1 muaj paraburgim. Si e komentoni, a është e drejtë kjo?
Adem Grabovci: E para, politikisht shpreh keqardhje që deputetë të Kuvendit të Kosovës për kauza politike, të bëjnë veprime të pamatura që çojnë në shkaktimin e ndonjë vepre penale. Askush s’do të donte të shihte deputetë të Kuvendit duke u arrestuar për shkak se kanë rrezikuar jetën e kolegëve të tyre deputetë.
E dyta, sa i përket arrestimit, nëse është apo jo i drejtë, këtë e vlerësojnë organet kompetente të drejtësisë, nëse dikush duhet apo jo të arrestohet për veprimet e tij/saj, madje kushdo qoftë ai. Vendimet e drejtësisë nuk i komentoj.
Gazeta Blic: Pse asnjë anëtar nga Pozita, nuk e komentoi planin e Vjosa Osmanit dhe Ilir Dedës? Ju personalisht, si e vlerësoni atë?
Adem Grabovci: Unë vlerësoj çdo ide dhe përpjekje rreth zgjidhjes dhe funksionalizimit të seancave plenare. Për këtë jemi duke u përpjekur që të gjejmë zgjidhje.
Gazeta Blic: Cila do të jetë zgjidhja përfundimtare, e tërë kësaj që po ngjan qe disa muaj?
Adem Grabovci: E thashë se qeveria ka bërë hapin e duhur rreth kësaj çështjeje, e po ashtu edhe Presidentja e vendit. Fuqishëm mendoj se kjo është zgjidhja e vetme dhe institucionale të cilen e kemi ofruar. Nuk mund të ketë asnjë zgjidhje pos kthimit të jetës institucionale për të debatuar, për të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kemi, qoftë në raport të brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Kjo bëhet vetëm me vullnet të mirë, me ata që ia dojnë të mirën këtij shteti dhe duke trajtuar gjithçka brenda jetës institucionale.