Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, në emisionin ”Info- Box” të TV Dukagjini, ka theksuar se veprimet e deputetëve të opozitës po ua sjellin në mend qytetarëve të Kosovës një kohë, për të cilën nuk kanë kujtime të mira.
Sipas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka dashur të bëj përpjekje të njëpasnjëshme për t’i ikur përshkallëzimit të dhunës, prandaj nuk ka dashur që ta shfrytëzojë mjetin e fundit, largimin zvarrë të deputetëve të opozitës nga salla.
Ai tha se përdorimin e organeve të rendit po e imponon opozita.
“Veprimet e ndërmarra të Albin Kurtit janë vetëm pretekst. Aty ka njerëz me misione të caktuara për ta shkatërruar shtetin. A i keni vërejtur përcaktimet e Albin Kurtit dhe përkrahësve të tij. Jemi shkëputur njëherë e përgjithmonë nga lindja. Me vetëdije ose pavetëdije veprimet e disa individëve të opozitës po përputhen me interesat e lindjes”, ka shtuar Grabovci.