Lajmet e fundit

Grafitet, mjet i shprehjes së revoltës

Hapësirat e rrugëve në ditët e sotme në shumë qendra të botës janë vende ku shprehet kreativiteti dhe zhvillohet veprimtaria që njihet si “Street art” (Arti i rrugës).

Tek nënllojet e artit të rrugës dallohet grafiti, që karakterizohet nga kufizimi me vijë e që ka “pushtuar” betonin e shumë qyteteve duke pasqyruar gjendjen sociale, emocionet, brengat, por me një theks të veçantë edhe revoltat e shoqërisë.

Jetik Doli, artist nga Prishtina që merret me këtë lloj arti tash e 12 vite, mendon se në këtë aspekt kryeqyteti i Kosovës nuk qëndron mirë në krahasim me kryeqendrat tjera.

“Për këtë arsye kohëve të fundit kemi bërë festivalin e parë për ‘street art’ në Kosovë që quhet Guerrilla Art Festival. Këtë e kemi bërë që të promovohet ‘street arti’ dhe me këtë po mundohemi t’i frymëzojmë artistët potencial, t’i japim një motiv që të merën me art dhe të vijnë të promovohen në këtë festival”, tregon Doli për KosovaLive.

Veprat e punuara gjatë këtij festivali do t’i dhurohen Komunës së Prishtinës që të vendosen dhe përdoren në hapësira publike dhe shkolla, sipas nevojave të komunitetit.

Karikaturat dhe portretet e grafiteve janë në qendër të punimeve të Jetikut që janë të vendosura në Prishtinë, Mitrovicë, Amsterdam të Holandës e Manheim të Gjermanisë.

Sipas tij, fakti që çdo gjë në Kosovë sillet rreth politikës, partive, estradës, futbollit ose bastoreve ndikon edhe në art, duke qenë se pothuajse të gjithë koncentrohen tek përfitimi vetjak e jo tek vlerat e artit e kulturës.

“Pavarësisht kësaj, ka artistë të zot që kanë arritur t’i rezistojnë antivlerave dhe të vazhdojnë punën e tyre, edhe pse janë pak, por nëse vazhdon ky rritem mendoj se nuk do të ketë aq shumë artistë të rijnë. Shpresoj që njerëzit përgjegjës të vetëdijesohen dhe të kontribuojnë në ngritje të vlerave dhe investimeve në kulturë dhe të rivendosin edhe njëherë prioritetet e tyre, kësaj here në favorin e te mirës së përgjithshme”, thotë Jetiku.

Ndonëse krahasuar me kryeqytetet e tjera të rajonit nuk mund të thuhet se në Prishtinë “lulëzon” ky lloj i artit, ditëve të fundit në rrugët e kryeqytetit janë shfaqur disa grafite ku shihen disa personalitete politike siç janë kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli e zëvendëskryeministri Hashim Thaci, por më së shumti zgjuan debat disa grafite për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që u paraqitën në qendër të Prishtinës.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka ndërmarr aksion për fshirjen e këtyre grafiteve dhe si kundërpërgjigje autorit apo autorëve është vu grafiti “Kundër seksizmit”.

Ky rrjet e ka dënuar rëndë këtë sjellje të autorëve duke i konsideruar edhe akte seksiste. Sipas RrGGK-së, një akti i tillë, është fyes dhe i papranueshëm për cilindo qytetar të Republikës së Kosovës.

Sociologu Genc Xërxa thotë për KosovaLive se arti i rrugës padyshim që ka ndikim në shoqërinë që ka qasje në to dhe i sheh çdo ditë.

“Ato kanë ndikim në opinion dhe rrethin ku jetojë, nëse bëhen me qellim apo nismë të mirë. Ato mund të luajnë rol pozitiv dhe të duken bukur nëse krijohen nga dora e artistit, por ka raste të shpeshta kur këto grafite e murale kanë porosi ofenduese, denigruese, raciste, seksiste e që në të shumtën e këtyre rasteve bëhen të shëmtuara dhe aspak artistike, që mund të dërgojnë tek jotoleranca, keqkomunikimi, paragjykimi, steorotipizimi e deri tek konflikti i panevojshëm si pasojë kur ndokush mund të ndihet i fyer apo edhe i kërcënuar nga imazhet e tilla”, thotë Xërxa.

Grafitet kanë lindur si forma të shprehjes së revoltës. Vrullin më të madh vizatimet e rrugës e kanë marrë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore kur u përhapen plotë vizatime kundër luftës dhe urrejtjes etnike.

Duke qenë se jo rrallë herë kanë shprehur vandalizëm artistët edhe janë përndjekur nga ligji dhe kjo veprimtari është cilësuar edhe si ilegale. Me to specifikisht janë identifikuar edhe komuniteti i artistëve të muzikës hip-hop, që i lidhnin ato me elementet e muzikës së tyre.

Megjithatë njohës të artit në botë pohojnë vazhdimisht se si formë e artit, mund të përdoret drejt përveç si zbukurim i hapësirave publike dhe si metodë e shpërndarjes së ideve e mesazheve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.