Lajmet e fundit
Gratë e Krushës shëmbull i suksesit në prodhimtarinë bujqësore

Gratë e Krushës shëmbull i suksesit në prodhimtarinë bujqësore

Gratë e Krushës, që kanë përfshirë tregun vendor e ndërkombëtar me produktet bujqësore, pritet që të rrisin kapacitetet dhe të shtojnë prodhimtarinë.

Kjo falë mbështetjes nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, prej së cilës “Kooperativa Krusha” ka fituar grante në vlerë prej më shumë se 30 mijë euro.

Përfaqësuesja e kooperativës, Fahrije Hoti thotë se me ndihmën e Ministrisë presin që të rrisin kapacitetet, nga 43 punëtorë sa janë aktualisht në sektorin e prodhimit, vitin tjetër të rrisin numrin e punëtorëve për 10 ose 15 përqind.

“Mbi 30 mijë euro është vlera e projektit që e financon Ministria. Akomodimi i makinës së pjekjes, frigorifer, edhe një makinë për zierjen e ajvarit, makinën për bluarjen e specave, tavolinën për klasifikimin e specave, të gjitha këto janë financim nga Ministria me participim”, ka thënë Hoti përmes telefonit.

Prodhimet e “Kooperativës Krusha” çdo ditë e më shumë po zë vend në tregun vendor e ndërkombëtar. Hoti thotë se në vitin 2016 planifikojnë të zënë vend edhe në shtete të ndryshme të Evropës. Derisa, aktualisht prodhimtaria e tyre është veç në Zvicër.

Rreth 2 mijë e 500 vende të reja të punës, në sektorin e bujqësisë, priten të hapen nga investimet e këtij viti, nga Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë tashmë ka përfunduar vlerësimin e projekteve për grante nga ky program, ku edhe ka bërë publike listat finale të përfituesve. Janë 389 përfitues. E investimet totale arrijnë vlerën prej 31 milionë euro ku Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural ka investuar 19 milionë e 300 mijë euro.

Zëdhënësi i MBPZhR, Shkëlzen Dragaj thotë se listat përfundimtare janë shpallur pasi kanë përfunduar vlerësimin preliminar, kontrollin e parë në terren dhe shqyrtimin e ankesave.

“Janë gjithsej 389 përfitues në të gjitha masat, dhe investimi total i Ministrisë është 19 milionë e 300 mijë euro, mbi këto. Dhe, një pjesë tjetër e cila do të investohet ngas vet përfituesit, që në total investimet të arrijnë në 31 milionë euro”, thotë ai.

Dragaj thotë se nga këto investime gjithashtu do të rezultojnë me hapjen e 2 mijë e 500 vende të reja të punës.

“Nga këto investime, ne presim, që të hapen 2500 vende të reja të punës vetëm për këtë vit, po flasim për investimet e këtij viti, të cilat 1500 janë të rregullta dhe 1000 të tjera janë indirekte që lidhen me investimet që bëhen në këto ferma dhe biznese përpunuese të produkteve bujqësore, por edhe zhvilli mi i tregtisë, ndërtime tjera, çka do që lidhet me sektorin”, thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.