Lajmet e fundit
Greqi, fundoset varka me 120 emigrantë, të paktën 34 të vdekur

Greqi, fundoset varka me 120 emigrantë, të paktën 34 të vdekur

Pranë brigjeve të ishullit grek, Faramakonis të paktën 34 emigrantë humbën jetën ditën e diel, nga përmbytja e një varke me rreth 120 persona.
Gati gjysma e viktimave nga tragjedia e orëve të fundit me refugjatë që vijnë nga brigjet turke drejt tokës greke janë fëmijë. Prej orëve të para të mëngjesit të së dielës grupet e shpëtimit kanë mundur të shpëtojnë 68 prej tyre, rreth 25 kanë arritur me not në brigjet e ishullit Farmakonisi, ndërsa 34 janë mbytur. Midis viktimave janë katër foshnja  dhe dhjetë fëmijë. Disa prej tyre janë gjetur në hambarin e varkës së mbytur.
Pamjet me refugjatët që mbajnë në kamerdare fëmijë të vegjël dhe notojnë drejt tokës greke vazhdojnë përsëri të bëjnë xhiron e botës. Ndërsa vazhdojnë kërkimet për të gjetur edhe persona të tjerë që konsiderohen të humbur, pritet që numri i viktimave të rritet.
Ndërkohë që vala e refugjatëve që vijnë nga brigjet turke drejt ishujve grekë është e pandalshme, kryeministrja e qeverisë së përkohshme të Greqisë, Vassiliki Thanou, që ka vizituar ishullin e Lesbos, ka deklaruar krijimin e dy qendrave të pritjes për qindra emigrantë në Athinë dhe Selanik.
Në një mbledhje të kabinetit, ajo u është përgjigjur edhe zërave të veçuar në Europë që kritikojnë Greqinë për sa i përket kufijve të saj.
“Gjithë atyre që kanë sigurinë e të qenit fqinj me partnerë të tjerë europianë në zemër të Europës, ju rekomandojmë që të marrin në konsideratë përgjegjësinë e të ruajturit të një vije bregdetare të kufijve të Europes me gjatësi 16.000 kilometra. Ne u rekomandojmë që të marrin në konsideratë nëse Europa e vlerave dhe e se ardhmes mund të rindërtohet duke ngritur mure”, ka deklaruar kryeministrja greke.
Pas largimit të më shumë se 20.000 refugjatëve nga Lesbos, me përpjekjet e qeverisë provizore, situata në ishullin grek, që ishte pothuajse në gjendje të jashtëzakonshme, është përmirësuar disi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.