Ministri i Emigracionit në qeverinë e Greqisë, ka deklaruar se vendi i tij ka pranuar të ketë ‘pasur presion të madh’ nga disa vende të BE-së, por sipas tij kjo është një gjë e padrejtë.
Duke reaguar rreth një shkrimi në Financial Times, Ioannis Mouzalas , para gazetarëve ka thënë se Greqia nuk ka marrë ndonjë kërcënim serioz nga BE-ja për përjashtimin e Greqisë nga Zona Shengen, transmeton Gazeta Blic.
Ai ka deklaruar se akuzat e zyrtarëve të paidentifikuar në shkrimin e Financial Times janë një përzirje mes ‘realitetit dhe mitit’.
Vetëm në këtë vit, Greqia ka qenë pika kryesore e rreth 700 mijë emigrantëve dhe refugjatëve që më pas kanë udhëtuar drejt vendeve tjera të BE-së.
“Është e vërtetë që vendi ka një presion të madh nga disa vende anëtare të BE-së, të cilat gabimisht mendojnë se Greqia mund të kontrollojnë fluksin e refugjatëve, por ngjan që Europa e ka kuptuar me vonesë që Greqia është vetëm një vend tranzit për refugjatët. Dera kryesore për refugjatët është Turqia. Prandaj, edhe fluksi i refugjatëve duhet të kontrollohet nga Turqia, nga brigjet e Turqisë,” ka theksuar ai.