Një marrëveshje e qeverisë greke me kreditorët duket se është më pranë se kurrë.
Të dielën, presidenti i Eurozonës, Jeruen Dijsslebloem, deklaroi se përshëndeste “progresin e mirë” që është shënuar në negociatat aktualedhe kanë të bëjnë me masat e nevojshme për realizimin e paketës së parë të reformave, reforma që sipas tij, “janë përcaktuese për finalizimin e suksesshëm të rikapitalizimit të bankave greke”.
Dijsselbloem shtoi se është arritur marrëveshje “në shumë çështje”, ndërsa bëri të ditur se të martën do të mblidhet grupi i ekspertëve të eurozonës, Euro Uorking Group.
Takimi i ekspertëve, që do të zhvillohet nëpërmjet videokonferencës, ka për qëllim të shqyrtojë ecurinë e realizimit të masave dhe pastaj të hapë dritën jeshile për disbursimin e këstit me vlerë 2 miliardë euro të kredisë, si dhe të miratojë transfertën prej 10 miliardë euro që do të përdoren për rikapitalizimin e bankave. Pavarësisht optimizmit të shprehur nga të dy palët, një raund i ri negociatash përfundoi pa rezultat, të hënën në orën 5 të mëngjesit.
Në takimin që kishte nisur mesditën e të dielës kërkohej një kompromis për çështjen e kredive të këqija. Takimi do të përsëritet të hënën pasdite, në përpjekje për arritjen e marrëveshjes, çka do t’i hapte rrugën takimit të Euro Working Group dhe çlirimit të fondeve që Greqia i ka kaq shumë nevojë.