Magbule Shkodra
Viti 2015 ishte vit i reformave përbrenda strukturës organizative të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Rezultat i kësaj reforme është edhe zgjedhja ime kryetare e Aleancës se Gruas së Kosovës (AGK) me 20 Qershor 2015. Ndonëse unë vi nga bota e shkencës me saktësisht, inxhiniere e elektronikes dhe specializuar në London Southbank University – Mbretëria e Bashkuar në fushën e programimit dhe rrjetave telekomunikuese gjithmonë kam qenë e interesuar për zhvillimet politike në vend dhe pozitën e gruas karshi këtij aktualiteti si dhe mundësitë që ajo duhet t’i ketë në shoqërinë kosovare.
Kalimi nga ekspertiza telekomunikuese në udhëheqjen e AGK-së është një përgjegjësi dhe sfidë te cilën unë e bëj me përkushtim në mënyrë që rezultatet të jenë të prekshme në shoqërinë tonë.
Me fillimin e mandatit, kryetare e AGK së , së bashku me koleget kemi filluar me vizita të shumta nëpër tërë territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë që të kemi një pasqyrë reale të pozitës së femrave në përgjithësi. Këto vizita na ndihmuan që edhe ne si AGK të ndërmarrim aktivitete të ndryshme me qëllim që të adresojmë çështjet me interes të femrave.
Situata e rënduar ekonomike në Kosove ka bërë që femrat të jenë në pozitë më të vështirë krahasuar me pozitën e meshkujve. Mundësitë, po thuaj se, jo ekzistuese që femrat të punësohen,vështirësitë qe ato të fillojnë me ndonjë biznes familjar ose personal, të vazhdojnë shkollimin e lartë ose aftësimin për ndonjë zanat më ka shtyrë që një pjesë të konsiderueshme të angazhimit të AGK-së t’a orientoj në këtë drejtim. Krijimi i urave lidhëse ndërmjet femrave në komunitet dhe organizatave jo qeveritare ishte një nga prioritetet e përcaktuara nga ana ime. Aktiviteti ende vazhdon me besim se në pjesën e parë të vitit 2016 do shihen edhe rezultatet e para.
AGK i ka kushtuar rëndësi bashkëbisedimit me udhëheqëset e strehimoreve si dhe femrave që janë viktimë e dhunës, e të cilat gjejnë mbështetje në këto vende, me qëllim të tejkalimit të situatës në të cilën gjenden. Vizitat na ndihmuan që të kuptojmë për së afërmi vështirësitë me të cilat ballafaqohen dhe të caktojmë si detyrë për AGK-në që në vitin 2016 rëndësi ti kushtohet aktivitete në vazhdimin e vetëdijesimit të femrave në ndërmarrjen e veprimeve që do të parandalonin dhunën në familje.
Marrë parasysh se femrat janë shtyllë e familjes dhe faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë me rëndësi kam trajtuar çështjen e kyçjes së femrave në politikë në mënyrë që të jenë pjesë e vendimmarrjes. Me statutin e ri të AAK-së femrat kanë përfaqësim të garantuar në të gjitha strukturat organizative të partisë. AGK ka zhvilluar takime me femra me qëllim të inkurajimit dhe identifikimit të femrave që mund të kyçen në politikë qoftë si kandidate të ardhshme për këshilltare komunale ose si deputete në parlamentin e Kosovës.
Aktualiteti politik, gjegjësisht kundërshtimi i marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, çështja e demarkacionit dhe bashkësisë se komunave serbe,ka bërë që AGK të jetë aktive në këto procese. Pjesëmarrja e femrave në aktivitete për të shprehur kundërshtimin e arrestimit të deputeteve si dhe në manifestime/protesta në shenje te kundërshtimit të marrëveshjeve të dëmshme ka dëshmuar se femrat janë pjesë e rëndësishme e proceseve nëpër të cilat po kalon vendi. Gatishmëria për t’u solidarizuar në kauzën për Kosovën tregon se femrave duhet t’u ofrohen mundësitë të jenë pjese aktive e ndryshimeve më se te domosdoshme të shoqërisë tonë. Kjo përkrahje duhet të vjen nga udhëheqja e shtetit deri te nivelet me te ulëta. Vetëm integrimi dhe ofrimi i mundësive te barabarta për femra dhe meshkuj mund te sjell përparimin e mëtutjeshëm të shoqërisë kosovare.
Këtë shkrim po e përfundoj me thënien e Elizabeth Stanton , “ Mbrojtja më e mirë qe ndonjë grua mund të ketë … është guximi!” . Urime viti i ri 2016!
(Autorj është Kryetare e Aleancës së Gruas së Kosovës dhe anëtare e kryesisë se AAK-së)