Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe marrëveshjet e arritura deri më tani do të zbatohen.
Këtë Mustafa e tha pas takimit me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn.
“Shpreh përkushtimin e qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për ta zbatuar këtë marrëveshje e cila do të jetë në të mirë të paqes, zhvillimit të vendit tonë”, tha Mustafa.
“Do ta vazhdojmë procesin e dialogut sepse e shohim të dobishëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do t’i zbatojmë marrëveshjet e arritura deri më tani”, tha kryeministri
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, kryeministri tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
“Presim me besim shumë të madh që BE të vendosë për rekomadnimin për liberalizim të vizave për Kosovën sepse konsiderojmë që kjo do të na ndihmonte shumë për proceset tona integruese dhe zhvillimin e vendit tonë”, tha Mustafa.
Edhe Hahn u shpreh optimist për një rekomandim pozitiv për Kosovën deri në fund të këtij viti.
“Liberalizimi i vizave është një proces që udhëhiqet nga proceset reformuese. Besoj se deri në fund të këtij viti do të mund të rekomandohet se Kosova i ka përmbushur kriteret”, tha Hahn.
Por ai ka kërkuar nga qeveria që të vazhdojë në implementimin e marrëveshjeve të arritura me serbinë dhe MSA-së pavarësisht sfidave.
Ndërkohë ai kritikoi bllokadën e Kuvendit nga ana e partive të opozitës.
“Institucionet e Kosovës duhet lejuar të funksionojnë në kushte të rregullta… Kuvendi nuk duhet të jetë funksional vetëm kur ka mysafirë të huaj”, tha Hahn.