Kritikat e deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa, ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili mbrëmë ka deklaruar se vazhdon të jetë pro kolacionit PDK-LDK, por me një ndryshim të kabinetit qeveritar, i ka komentuar nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.
Rugova ka thënë për Indeksonline se deputeti Mustafa, së pari duhet të kritikojë kryetarin e partisë së tij, Hashim Thaçin, meqë sipas Rugovës, marrëveshjet në Bruksel janë nënshkruar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
“Mendoj që ai nuk duhet me pas punë me Isa Mustafën, duhet me pas punë me kryetarin e partisë së vet, meqë të dy bashkë kanë anëshkruan marrëveshje në Bruksel”, ka thënë Rugova.
Rugova ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës, dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kanë një marrëveshje për bashkëqeverisje dhe kjo duhet të respektohet, ndërkohë ka vlerësuar se mendimet individuale, duhet të mbesin të tilla.
“Ekziston një marrëveshje të cilën duhet ta respektojmë, mendimet e tjera janë individuale”, ka thënë Rugova.
Ndryshe, Rrustem Mustafa, ka deklaruar dje se nuk është vetëm kryeministri Mustafa fajtor për mos zhvillimin e vendit, por edhe disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, duke shtuar se koalicioni PDK-LDK mund të zgjerohet.