Lajmet e fundit

Haliti: Qeveria të Reflektojë pas Vendimit të Kushtetueses

Xhavit Haliti nga PDK kërkon përgjegjësi nga qeveria pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Thotë se është krijuar një situatë shumë serioze.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, po kërkon nga delegacionet e Kosovës që janë të përfshirë në bisedime me Serbinë në Bruksel që të reflektojnë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese rreth marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kushtetuesja të mërkurën dha mendimin e vet se disa pjesë të kësaj marrëveshjeje, të nënshkruar më 25 gusht, përbëjnë shkelje të Kushtetutës, ndërsa zyrtarët e lartë të qeverisë kanë thënë se do ta respektojnë këtë vendim.

Por për Xhavit Halitin, që është deputet dhe anëtar i kryesisë së PDK-së, respektimi i vendimit të Kushtetueses nuk mjafton.

“Kjo është situatë shumë serioze e cila ka krijuar situata të pakëndshme për institucionet e Kosovës. Nuk duhet thënë vetëm ‘ne e respektojmë’… Politikanët kushdoqofshin ata, kur bëjnë gabime apo shkelje, duhet të marrin vendime në përputhje me të metat dhe gabimet që i kanë bërë”, tha Haliti në një deklaratë për KALLXO.com.

Sipas tij, Qeveria tani sa më  parë do të duhet të dalë dhe të reagojë në lidhje me këtë vendim.

“Qeveria duhet ta marrë parasysh vendimin e Gjykatës, dhe të fillojë me shpejtësinë më të madhe ta implementojë këtë vendim, ta bëjë ekzekutimin e duhur me aktet ligjore dhe nënligjore, që do të duhet të nxirren dhe në këtë formë të shkohet në Bruksel për të biseduar”, tha Haliti.

Ai tha se të gjitha ato pika që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, duhet të cilësohen inekzistente.

“Qeveria do të duhej të shpallë që nuk ekzistojnë këto marrëveshje dhe normalisht që do të duhet të bisedohet edhe me negociuesit dhe zonjën (Federika) Mogerini”, tha Haliti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.