Haradinaj gjatë një vizite që i ka bërë sot, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), sipas një komunikate të AAK-së, ka thënë se përkundër rezerva të mëdha të qymyrit që ka Kosova, ajo po shndërrohet në problem energjetik për rajonin.
“Kosova me rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë, po shndërrohet në problem energjetik të rajonit. Ajo sot ka mungesë për të paktën 500 megavatë orë energji elektrike dhe situata e pa perspektivë në sistemin energjetik të Kosovës, kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit”.
“Nuk mund të shtyhet për as edhe një ditë rigjenerimin e kapaciteteve ekzistuese, e as krijimi i kapaciteteve të reja”, është shprehur ai.
Ai po ashtu ka fajësuar politikat e gabuara pasi, sipas tij, ato e kanë shndërruar Kosovën nga një prodhues potencial, në një problem rajonal energjetik.
“Komoditeti për të mos ndërhyrë në sistemin energjetik të vendit, do ta rrezikojë skajshmërisht edhe ekonominë edhe konsumatorin. Sistemi energjetik i Kosovës duhet t’i hapë dyert për investitorë të mundshëm të vendit dhe të huaj, sepse politikat e gabuara në këtë fushë, e kanë shndërruar Kosovën, nga një prodhues potencial, në një problem rajonal energjetik”, është shprehur Haradinaj.
Ramush Haradinaj, në bisedë me menaxhmentin e KEK-ut, tha se dështimet në të gjitha hallkat e sistemit energjetik në Kosovë, duke përfshirë edhe këto të fundit me ndarjen e “hises energjetike” me operatorë të tjerë, nuk mund ta shndërrojnë konsumatorin kosovar në të “dënuar” ose në viktimë, që gjithmonë, me xhepin e tij, t’i paguaj dështimet, dallaveret e hajnitë… që nga adresa të ndryshme ndodhin në këtë sistem.