Lajmet e fundit

Haradinaj: Mustafa nuk po ia del dot si kryeministër

Në “Zonën e Debatit” në Klan Kosova,lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka debatuar me analistët Artan Muhaxhiri, Bajrush Morina dhe Arben Ahmeti.
Me Haradinaj në pjesën e parë është debatuar rreth kërkesave të opozitës për tërheqjen e nënshkimit nga marrëveshjet e 25 gushtit

Haradinaj është shprehur se opozita nuk do të dorëzohet.

“Ne i kemi pasur dy kërkesa, kërkesa e parë ka qenë që të mos thirret seanca dhe të tërhiqen nënshkrimet. Seanca e ditës së nesërme nuk do të mbahet. Ne po e kundërshtojmë asociacionin, demarkacionin dhe këto marrëveshje të këqija për vendin tonë”, tha Haradinaj.

Analisti Artan Muhaxhiri ëshët shprehur se projektet e mëdha ndërkombëtare janë pothuajse të pamundura që të anulohen.

“Haradinaj është i vetëdijshëm se sa komplekse dhe të vështira janë këto procese për Ballkanin ku përfshihen Ëashingtoni dhe Brukseli. Në momentin kur në Bruksel ose dikund tjetër bëhet ceremonia e nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje për Kosovën, është e pamundshme ajo që të anulohet “.

“Posaçërisht nëse kjo marrëveshje është e mbështetur nga shumë faktorë të fuqishëm, të cilëve u është dashur shumë kohë dhe angazhime për t’i harmonizuar interesat e të gjitha palëve”, tha Muhaxhiri.

Në pytjen e analistit Artan Muhaxhiri nëse është e mundur të anulohet një projekt kaq i madh ndërkombëtar, Haradinaj është përgjigjur se ne kemi mundësi të kërkojmë më shumë.

“Marrëveshja e fundit e Asociacionit është produkti dhe nuk është marrëveshja bazë. Sipas kësaj, oferta e Kosovës mund të ridizajnohet dhe mund të kërkojmë diçka tjetër”, tha Haradinaj.

Gjithashtu Muhaxhiri ka thënë se nëse do të anulohen këto marrëveshje, atëherë do krijonte precendent dhe kësisoj do të hapte rrugë për anulimin e marrëveshjeve të ardhshme me BE-në.

Kurse Haradinaj është shprehur se Bashkësia Ndërkombëtare ka konsideratë për Kosovën.

“Po, ky do të ishte një precedent. Edhe pala serbe do të mund ta kërkonte një gjë të këtillë. Por, Bashkësia Ndërkombëtare i kupton specifikat e Kosovës, ne jemi shtet i ri, ata i marrin në konsideratë edhe specifikat tona të brendshme”, tha lideri i AAK-së.

Në pyetjen e analistit Bajrush Morina pse AAK-ja nuk ka reaguar kur e kanë dërguar Blerim Shalën për marrëveshjet e 19 prillit 2013, Haradinaj është shprehur se ai dhe Shala nuk kanë më asnjë raport.

“Ne kemi shpresuar që dialogu do të arrijë dy rezultate – normalizimin në Veri dhe krijimin e bazës për njohje. Kushdo që ka qenë në këtë proces e di se këto mund të ishin gjëra të mira për Kosovën. Por, me 19 prill ka filluar të abuzohet me këto kërkesa. Unë me Blerim Shalën nuk kam raporte profesionale, ai ka ndërruar vend dhe ka ndërruar adresë”.

Haradinaj gjithashtu ka deklaruar se ai ka që prej 19 prillit 2013 nuk ka informata për marrëveshjet.

Analisti Artan Muhaxhiri e ka pyetur Haradinajn nëse opozita ka një Plan B nëse Qeveria nuk e tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet.

“Nëse nuk ndodh anulimi a keni një plan rezervë, pra nëse qeveria në asnjë milimetër nuk lëviz prej qëndrimeve të saj si do te reagoni?”, pyeti ai.

Haradinaj është përgjigjur se nëse nuk do të bëhet tërheqja e nënshkrimit atëherë do të radikalizohen masat e opozitës.

Analisti Bajrush Morina është shprehur se opozita nuk ka ndonjë alternativë por gjithë çfarë ka në këtë mes është inati politik.

“Kjo opozitë ka inate politike, por nuk ka alternativë politike”, tha ai.

Morina gjithashtu i ka thënë Haradinajt se në këto marrëveshje ka marrë pjesë edhe një përfaqësues i AAK-së, Blerim Shala.

“Këto gjëra ju i keni parë, e nuk e keni ndaluar të keqën, por tash kur mund të priten pasojat ju po reagoni”.

Ai gjithashtu i tha Haradinajt se opozita nuk ka ide të njëjta politike.

“Këmisha politike e Albin Kurtit nuk iu bjen juve tamam, ashtu siç as e juaja nuk i bie atij”, tha Morina.

Haradinaj për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi është shprehur se është e pamundur të mos reagojë nëse do të ndryshojë kufiri.

“Të ndërrohet kufiri i asaj ane e të mos reagoj do të ishte e pakuptueshme. Unë e di shumë mirë se cili është kufiri i asaj pjesë”.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se Mustafa nuk është i denjë për postin e kryeministrit.

“Mustafa mund të jetë një akademik, mirëpo sa i përket qeverisë nuk po ia del dot. Këto janë arsyet pse mendoj që Kryeministri Isa Mustafa duhet të ketë një post joekzekutiv. Të jesh kryetar i qeverisë në Kosovë nuk është punë e lehtë”.

Në pyetjen e analistit Bajrush Morina se pse po bllokohet Kuvendi për marrëveshjen e demarkacionit që ende nuk është finalizuar, Haradinaj është përgjigjur se pasi të merr fund do të bëhet vonë.

“Nëse ndodh ratifikimi në Kuvend, atëherë do bëhet vonë. Ne duhet të reagojmë paraprakisht rreth kësaj çështjeje”.

Haradinaj edhe njëherë tregoi se të gjitha metodat dhe masat e opozitës do të përfundojnë nëse do realizohen kërkesat e tyre.

“Ne u kemi dhënë ofertë – anuloni këto dy marrëveshje dhe ne do kthehemi në Kuvend, pa vezë, pa gurë e pa gazlotsjellës”.

Në pyetjen e analistit Arben Ahmetit se a mendon që zgjedhjet do të mund të ndryshonin diçka në rezultat, Haradinaj është përgjigjur se kjo gjë nuk është në planin e tyre të parë.

“Ne kemi dëshirë të ketë zgjedhje, ato janë legjitime, por kjo nuk është kërkesa jonë e parë”, tha Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.