Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në një takim ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë William Walker, së bashku me zonjën e tij Lusy Martin dhe djalin Douglas Walker.
Takimi është zhvilluar në prag të përvjetorit masakrës së Reçakut, ku ambasadori Walker me deklaratën e tij, se ajo çfarë kishte parë në Reçak në janarin e vitit 1999, ishte krim kundër njerëzimit, pati kthyer fuqishëm vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për krimet që po bëheshin në Kosovë.
Kryetari Haradinaj, i shprehu mirënjohje ambasadorit Walker, për rolin e tij në etapa të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë, posaçërisht për kohën kur ai ishte vënë në anën e së drejtës, duke mbrojtur viktimat e pafajshme dhe duke i klasifikuar sulmet kundër tyre, si krim kundër njerëzimit.